
Pas humbjes së Real Madridit kundër Alavesit, kapiteni dhe qendërmbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, ka tentuar t’i lumturojë tifozët e klubit përmes një mesazhi të cilin e ka publikuar në llogarinë e tij në Twitter.
Los Blancos nuk kanë arritur të shënojë një gol në më shumë se gjashtë orë ndeshje, si dhe nuk arritur të fitojnë asnjë nga katër ndeshjet e fundit, prej të cilave dy të fundit kanë pësuar humbje.
Në ndeshjen e së shtunës, Real Madridi pësoi humbje ndaj Alavesit me rezultat 1-0, për shkak të golit të fitores që Manuel Alejandro Garcia Sanchez e shënoi në minutën e fundit të ndeshjes. Me rezultat të njëjtë, skuadra e Julen Lopeteguit e kishte humbur edhe ndeshjen paraprake, kundër CSKA Moscow në Ligën e Kampionëve.
Përveç deklaratës pas ndeshjes, kur Ramos kishte thënë se do të ishte një budallallëk ta shkarkon trajnerin spanjoll, kapiteni i Real Madridit i ka shfrytëzuar edhe llogaritë e tij në rrjetet sociale për të tentuar t’i gëzojë tifozët e klubit.
“Që kur u transferova në Real Madrid në vitin 2005, kam përjetuar situata të të gjitha llojeve, por gjithmonë jemi përgjigjur në të njëjtën mënyrë: me unitet dhe punë të palodhshme”, ka shkruar Ramos në Twitter.
“Ne do të luftojmë deri në fund dhe rezultatet do të vijnë. Kjo skuadër nuk do të dorëzohet kurrë. Hala Madrid!”