SHPËRNDAJE

Kur njeriu normal ndëgjon ndonjë lajm “bombastik” si ky i ditëve të fundit që është bërë “hit” gati se në të gjitha mediat elektronike dhe të shkruara shqip (bile edhe në ato serbe e të tjera), ndalet dhe seriozisht mendon: Vallë a përnjimend Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe ajo e Qeverisë së Republikës së Kosovës janë të interesuara për gjendjen e shqiptarëve në Luginë ? Do ta ndihmojnë këtë popullatë ? Të lumtë ne !
Por, me të analizuar vetëm pak lajmin, se “ata” do të ndajnë 100.000 euro për Luginën e Preshevës, jo që vetëm zhgënjehet por bile edhe çuditet. A është e mundur një gjë e tillë ? Dy qeveri shqiptare, për një pjesë të popullit të cilit i takojnë edhe vetë ata, ndajnë “100 mijë euro” ! Bile, thënë sinqerisht, duhet qarë për këtë veprim të tyrin, dhe duhet shtruar pyetjen vetëvehtes: A është e mundur kjo ?
Dhe menjëherë do ta gjesh edhe përgjigjen (por jo të tërën), “burrat e mëdhenjë munden” !
Pse nuk mund ta gjesh përgjigjen e plotë para se të parashtrosh edhe shumë pyetje të tjera, është lehtë të kuptohet. Unë vetëm po pyes ?
Si është e mundur që ish kryeminstri shqiptarë Sali Berisha, i cili kishte një respekt të madh tek shqiptarët e Luginës, të ndajë 400.000 euro për serbët e Kosovës e për Luginën as edhe një cent ?
Si është e mundur që kryeminstri aktual shqiptarë Edi Rama, i cili ka poashtu një respekt të madh tek shqiptarët e Luginës, i cili në disa paraqitje të tija publike kishte premtuar ndihmë për këtë popullatë, të ndajë 50.000 euro për Luginën, aq sa edhe homologu i tij kosovar Hashim Thaçi ?
Si është e mundur që kryeminstri aktual kosovar Hashim Thaçi, i cili jo vetëm që atëherë kur Kosova kishte nevojë më së tepërmi për ndihmë, kishte marrë ndihma të shumëllojta nga shqiptarët e Luginës, por ai edhe sot e kësaj dite ndihmohet nga ata, në forma të ndryshme, duke filluar nga politika e deri tek ekonomia kosovare, i cili poashtu në shumë paraqitje të tija publike kishte premtuar ndihmë për këtë popullatë, të ndajë 50.000 euro për Luginën ?
Dhe, pyetja e fundit: A kanë marrë leje nga “të tjerët” për këto ndihma, siç duhet të marrin leje për çdo vendim para se ai të realizohet ?

Zoti na ndihmoftë, se sa për këta qeveritarë, ka me na ngrënë ujku e kemi me pyet vehten a mos jemi në ëndërr ?

Shkruan: Zejnulla Dauti,
gazetar