SHPËRNDAJE

Ndoshta e mendoni metabolizmin si diçka të vendosur, të parashikuar gjenetikisht. Por, siç thotë nutricionistja e yjeve Haylie Pomroy, aftësitë tuaja për të humbur ose shtuar peshë s’kanë pse varen nga metabolizmi i shpejtë a i avashtë.
Ajo thotë se çdokush mund të optimizojë mënyrën si trupat procesojnë ushqimin dhe këtë filozofi ua përcjell edhe klientëve të saj të famshëm.
1. Hani ushqime të vërteta
Ky rregull duhet të kthehet në realitetin tuaj. Ushqimi që konsumoni duhet të ketë prejardhje tokën, qiellin ose detin, shpjegon ajo.
Në fjalë të tjera, përqendrohuni te perimet, frutat, drithërat, mishi, vezët dhe peshku dhe qëndrojini larg ushqimeve të procesuara që përmbajnë kimikate, ëmbëltues artificialë, bojëra dhe konservantë që “çrregullojnë aktivitetin metabolik.”
2. Ushtrohuni me zgjuarsi
Ushtrimet që bëni kanë po aq rëndësi sa të ushtruarit në përgjithësi. Pomroy këshillon një miksim të kardios me trajnimin me pesha çdo javë, si dhe të hani diçka të lehtë para çdo stërvitjeje. “Në të kundërt, gjëndrat mbiveshkore do të prodhojnë kortizol, i cili do të shpërbëjë muskujt që po ndërtoni.”
3. Sigurohuni të hani 30 minuta pas zgjimit
Pomroy këshillon që mëngjesin ta konsumoni fill pasi zgjoheni, jo më shumë se 30 minuta më vonë. “Nëse nuk hani fill pasi zgjoheni, po i kërkoni trupit të operojë pa energji,” shpjegon ajo. “Si rrjedhim, gjëndrat mbiveshkore do të prodhojnë kortizol, një hormon urgjence që i thotë trupit të magazinojë yndyra, pasi s’i dihet kur do të ushqehet sërish.”
Pra, vakti i parë duhet ngrënë brenda 30 minutash nga zgjimi dhe në total, gjatë ditës duhen konsumuar tre vakte të plota dhe dy të lehta. Në fjalë të tjera, fusni diçka në gojë çdo tre orë.

4. Ndryshoni vaktet
Pomroy citon një studim sipas të cilit sa më e shumëllojshme të jetë dieta e dikujt, aq më të ulëta janë shanset që ai person të ketë dhjam të tepërt apo simptoma të sindromës së metabolizmit.
Përpiquni të hani sa më shumë gjëra të ndryshme nga java në javë, gjithnjë duke pasur parasysh rregullin e parë.
5. Mos u fiksoni me kaloritë
Kufizimet strikte në kalori rezultojnë shumicën e herëve në ngadalësim të metabolizmit. “Kur hani më pak e përkeqësoni situatën,” shpjegon Pomroy.
“Kur metabolizmi është shumë i ngadaltë, edhe sallatën e magazinon si dhjam.” Edhe studimet këshillojnë që të fokusoheni te cilësia e ushqimeve që hani dhe jo te sasia.
6. Hani gjëra që ju pëlqejnë
Njësoj si me kaloritë, nëse hiqni dorë nga ushqimet që ju falin kënaqësi, mos prisni rezultate të jashtëzakonshme. “Kënaqësia është një mjet shumë i fuqishëm,” thotë ajo.
Hani ushqime që stimulojnë prodhimin e endorfinave dhe pakësojnë hormonet e stresit. Si rrjedhim, edhe metabolizmi juaj do të përmirësohet. Pra hajeni atë copë pice, thjesht mos e teproni.