SHPËRNDAJE

Në ditën e sotme mbushen 15 vjet nga ndërhyrja e forcave ajrore të Aleancës Veriatlantike, NATO, kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë.
Sulmet kishin pasuar dështimin e konferencave ndërkombëtare në Rambouillet dhe Paris.

Pas 78 ditë sulmesh, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke vendosur kështu administratën e përkohshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe duke fuqizuar praninë ushtarake të NATO-s në Kosovë, që do të njihet me emrin KFOR.

Miratimi i rezolutës pasoi nënshkrimin e Marrëveshjes Teknike e Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe ushtarake e policore serbe nga Kosova dhe zbarkimin e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.

Fundi i luftës Kosovën e gjen me më shumë se 11,000 të vrarë dhe 5,000 të zhdukur, për fatin e të cilëve nuk dihej gjë.

Në Kosovë, në kuadër të KFOR-it u vendosën rreth 50,000 ushtarë nga 36 vende të ndryshme botërore, nga të cilët 30.000 ishin nga vendet e NATO-s.

Për udhëheqësit e Kosovës dhe qytetarët e saj, data 24 mars e vitit 1999 shënon një fillim të ri të historisë së Kosovës, që i hapi rrugën çlirimit dhe pavarësimit të saj.

Sot, ndërkaq, 15 vjet më vonë, me një numër shumë të vogël, forcat paqeruajtëse të NATO-s vazhdojnë operimin e tyre nëpër Kosovë.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në 15 vjetorin e intervenimit të NATO’s në Kosovë ka theksuar se “kurrë nuk do ta harrojmë rëndësinë e ndihmës jetike që e pranuam si popull”.

Në rrjetin social Facebook ai ka shkruar se dëshiron të shpreh falënderimet e thella për SHBA-të, NATO-n dhe të gjithë aleatët tjerë nga mbarë bota.

Më poshtë mund të shihni dokumentarin australian të shkurtit 2000, “”War in Europe: Nato’s 1999 war against Serbia over Kosovo” (Lufta në Evropë: Lufta e NATO-s kundër Serbisë për Kosovën).

Në një pjesë të kësaj interviste, gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, tregon se si Slobodan Milosevici i kishte thënë se me Kosovën serbët janë ballafaquar edhe më herët.

“Në Drenicë më 1946 kishte vrasës dhe banditë. I vramë të gjithë, u deshën disa vite por i vramë të gjithë”, ka thënë Milosevici.

Po ashtu, më poshtë mund ta gjeni dokumentarin: “Lessons of Kosovo” (Mësime nga Kosova), që ka të bëj me sulmet ajrore të NATO-s të vitit 1999. /REL/