SHPËRNDAJE

Armir Qorrolli është kosovari më i ri që ka arritur të realizojë ëndrrën e tij për të fluturuar. 17- vjeçari tashmë ka licencë për të drejtuar një avion deri në 8 tonë. Në një intervistë për Express, ky pilot i ri zbulon detaje nga përpjekja e tij për të arritur këtë sukses.

“Edhe unë si të gjithë fëmijët e botës e kisha një ëndërr. Ëndrra ime ishte fluturimi. E mbaj mend edhe fluturimin tim të parë në jetën time si pasagjer që fluturoja nga vendlindja për në Europë. Ai fluturim ishte me të vërtetë shumë emocionues, por të jem i sinqert kisha dhe shume frikë. Gjithçka filloi nga ai fluturim ku pas kthimit në vendlindje, jo shumë gjatë kohë më pas filluan disa pyetje në kokën time të cilat kishin të bëjnë me fazat e fluturimit; se çka ndodhi në këtë moment; se çka në atë tjetrin etj”, shprehet Qorolli i cili sqaron se si i lindi ideja që të bëjë një kërkesë në aeroportin e Prishtinës për një vizitë, ku unë atëherë ishte vetëm 9 vjeç.


“Kërkesa ime ishte që ta bëja vetëm një vizitë të shkurt si entuziast i aviacionit dhe fatmirësisht më pranuan dhe iu bëra me të vërtetë përshtypje të madhe pasi që isha i vetmi me asi lloj kërkese. Aty fillova dhe vizita ime nuk mbaroi vetëm për një ditë, por vazhdova që të shkoja dhe të shikoja drejt për drejt se si punonin dhe si funksionin gjërat në aeroport. Aty mësova shumë gjëra, bisedova me shumë pilotë, vizitova shumë lloje aeroplanësh”, thotë Qorolli.

Në moshën 15 vjeçare ai thotë se u njoh edhe me një pilot profesional siç është Blerat Ukaj, i cili i ka treguar për licencën PPL (Privat Pilot Licence), e që është baza kryesore për një të ardhme në pilotim dhe me të hyn në kategorinë e pilotëve që mund të pilotosh çdo aeroplan deri ne 8 tonelata.

“Në moshën 16 vjeçare fillova orët e fluturimit në akademinë e aviacionit civil në Shkup e përkatësisht në Stankovec, ku licencat e tyre janë me standarde europiane dhe pranohen pothuajse në çdo shtet të botës. Ora e parë ishte me të vërtetë shumë emocionuese”, thotë Qorollli.

Duke praktikuar fluturimin dhe duke bërë orë të njëpasnjëshme Qorolli thotë se filloi të marrë njohuri rreth fluturimit ndërsa tregon se vetëm pas 12 orë fluturimi-në moshën 16 vjeçare – ai arriti të realizoj ”Solo Flight”, që është pjesë e trajnimit ku studenti lëshohet i vetëm në aeroplan dhe ai fluturim diku rreth 24 minuta e që thotë se për të ishte një ndjenjë e veçantë.