SHPËRNDAJE

Tetë autobusë me rreth 300 migrantë kanë mbërritur në Qendrën e Pranimit në Preshevës nga veriu i Serbisë, bënë të ditur RTS.

Kjo masë ka ardhur pasi u arrit një rekord në nëntor, afro 3,000 migrantë u përpoqën të arrinin në Bashkimin Evropian përmes Serbisë.

Qendra e pranimit në Preshevë nuk ka qenë aktive për një vit e gjysmë. Gjatë kësaj kohe, qendrat kanë qenë funksionale në komunat e tjera të Rrethit Pçinjës, në Vranjë, Bujanoc dhe Bosilegrad.

Rreth dhjetë ditë më parë, u riaktivizua dhe atëherë mbërritën një grup prej 400 migrantësh nga veriu i vendit, të cilët deri atëherë kishin qenë në objekte të improvizuara. Mërgimtarët, kryesisht beqarë, të cilët mbërritën atëherë por edhe tash, do të qëndrojnë në Qendër gjatë dimrit.

Goran Qiriç nga Komisariati për Refugjatë dhe Migrim tregon se migrantët janë pranuar, dhe u është siguruar kulm mbi kokë, ngrohje, tri shujtje ditore, kujdes mjekësor, veshmbathje dhe këpucë.

Kapaciteti i Qendrës së Pranimit në Preshevë është rreth 1.000 vende, nga të cilat 800 janë në objekte të forta dhe ato janë pothuajse përplotë me migrantë. Në Bujanoc më nuk ka vend për familje me fëmijë, ndërsa në Vranjë disa dhoma janë bosh.

Sipas Qendrës për Mbrojtje dhe Ndihmë për Azilkërkuesit, situata është më e komplikuar në veri të vendit.

Radosh Gjuroviq nga Qendra për Mbrojtje dhe Ndihmë për Azilkërkuesit, thotë se kapacitetet e akomodimit duhet të rriten pikërisht për shkak të këtyre rrethanave, pasi Serbia përfundimisht po bëhet një tampon zonë në rrugën e migracionit.

“Në prag të marrëveshjes me Frontex, e cila është ratifikuar pothuajse kohët e fundit, Serbia po merr përsipër angazhime gjithnjë e më të mëdha për të luftuar migracionin brenda territorit të vet përgjatë kufijve të Bashkimit Evropian” tha Gjuroviq.

Sipas Qendrës për Mbrojtje dhe Ndihmë për Azilkërkuesit, gjithnjë e më shumë migrantë po vijnë nga Siria. Ata kanë qenë deri më tani në Turqi.

Për shkak të rritjes së numrit të migrantëve në veri të vendit, komuna e Kanjizhës ka kërkuar nga MPB që të rritet sa më shpejt numri i oficerëve të policisë./presheva.com/