SHPËRNDAJE

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tronditur nja dy sulme sot. Njëri ka ndodhur në qytetin El Paso të Teksasit dhe tjetri në Deyton të Ohaios.

Nga sulmi i Teksasit u vranë 22 persona dhe mbetën të plagosur 26 të tjerë.

Derisa në sulmin e qytetit të Deytonit në Ohaio 9 përsona u vranë dhe 16 u plagosën.

Në Teksas masakra ndodhi në një qendër të rrjetit “Walmart” në afërsi të Cielo Vista Mall, disa kilometra nga kufiri SHBA-Meksikë.

Autori i ngjarjes së Teksasit është një 21-vjeçar, i cili i armatosur me një kallashnikov AK-47 u fut në qendrën tregtare nga hyrja e një parkimi dhe ndërkohë që qëllonte mbi turmën, mbante edhe dëgjuese në veshë.

Mediat amerikane kanë identifikuar 21-vjeçarin dhe thonë se është Patrick Crusius, i cili u identifikua falë kamerave të sigurisë.

Ai arriti të kapet nga policia dhe momentalisht është në paraburgim.

Vetëm pak ditë më parë një ngjarje e tillë e tmerrshme ndodhi në një festival në Kaliforni.

Derisa në Deyton të Ohaios, policia ka konfirmuar vdekjen e të dyshuarit për këtë sulm.

Incidenti erdhi pak orë pas sulmit masiv në El Paso të Teksasit.

Autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje për sulmin, veçse ai ka ndodhur në distriktin e Oregonit, një lagje e njohur për klubet e natës, galeritë e artit e dyqane.