SHPËRNDAJE

Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike e sociale dhe në pamundësi që t’i mbajnë familjet e tyre, 48 ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë vetëvrasje që nga përfundimi i luftës.

Këto të dhëna i bën publike Xhevdet Qeriqi, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së, i cili në një intervistë për portalin Infokusi, thotë se “ky është turpi më i madh i këtij shteti dhe shumë e rëndë për ne si shoqëri kur dihet se këta ushtarë i kanë bërë ballë gjithë atyre sfidave, përballë gjithë asaj makinerie të Serbisë dhe pas lufte të vëtëvriten se nuk kanë mundësi t’i ushqejnë familjet e tyre”.

Qeriqi ka treguar edhe për padrejtësitë e shumta që po u bëhën vetëranëve dhe invalidëve të luftës, për fryerjen e listave e po ashtu ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për mos respektim të vlerave të UÇK-së dhe për përbuzjen që po u bëhët këtyre kategorive.

Ai ka folur edhe për një rast konkret duke treguar rrëfimin e një ish ushtari të UÇK-së, i cili u detyrua ta lëshojë vendin për të cilin luftoi për shkak të kushteve të rënda ekonomike.

“Kurrë nuk do ta shkilja tokën e Kosovës po të mos i kisha familjen atje”, kështu i ka thënë një bashkëluftetar, Xhevdet Qeriqit.

Gjatë tërë procesit të verifikimit të Invalidëve dhe Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës ka patur pakënaqësi dhe janë raportuar parregullsi, ju si Kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK së si e komentoni tërë këtë proces?

Qeriqi: Ne si Këshill për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së, tërë këtë proces e komentojmë si një proces të stërzgjatur nga Komisioni Qeveritar për Verfikimin e Veteranëve të UÇK-së, i cili edhe pas katër vitesh ende nuk po arrinë që ta përmbyll procesin. Edhe gjatë kësaj kohe sa është bërë verifikimi i veteranëve kemi vërejtur edhe ne se ka pasur parregullsi dhe ka padrejtësi që janë bërë ndaj luftarëve të UÇK-së, që u është mohuar e drejta e statusit të veteranit, por ka edhe nga ata që e kanë përfituar këtë status të veteranit pa qenë ushtarë të UÇK-së fare.

Ju si Këshill për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së, a keni ndërmarrë veprime ligjore që këto parregullësi, si dhënja e statusit të veteranit personave që nuk ishin pjesë e luftës së UÇK-së, të sanksionohen dhe të ndëshkohen me ligj?
Qeriqi: Ne kemi kërkuar dhe kemi reaguar dhe si rrjedhojë nuk jemi pajtuar me këto lista, sepse shihet qartë se janë lista të fryera. Në të gjithë jemi dëshmitarë dhe e dimë se sa ka qenë numri i ushtarëve. Ne kemi bërë ankesë dhe kemi kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të hetohet i gjithë procesi, kemi kërkuar një auditim të pavaruar për këtë proces. Poashtu kemi diskutuar edhe Kryeministrin Isa Mustafa rreth fryerjes së listave dhe edhe ai në njëfar forme e ka pranuar se listat janë fryer dhe e ka shfaqur shqetësimin e vet. Mirëpo në anën tjetër nuk ka reagim as nga ana e institucioneve të drejtësisë, në këtë rast të Prokurorisë së Shtetit dhe as nga ana e qeverisë. Shkaku i fryerjes së listave po u bëhet një padrejtësi veteranëve luftëtarë të vërtetë, sepse po u hyhet në hak me të ardhurat e tyre, ngase në vend që të marrin një pension më të dinjitetshëm nga ky fond po përfitojnë njërëzit pa meritë edhe po dëmtohen veteranët luftëtarë të vërtetë.

Kush do të duhej që të mbahej përgjegjës për të gjitha këto parregullsi?

Qeriqi: Përgjegjësia kryesore në këtë rast, do duhej që të binte mbi qeverinë sepse është një komision i themeluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo është dashur që t’i kërkojë një raport komisionit edhe një arsyetim se pse po bëhen këto vonesa në këtë drejtim, pse është stërzgjatur ky proces pa u përmbyllur. Por, në fakt shihet se nuk ka vullnet nga ana e qevrisë që ta zgjidhë këtë problem.

Po për fryerjen e listave ku qëndron përgjegjësia?

Qeriqi: Unë qysh në fillim kam kërkuar që të ketë kritere për aplikim, e që në fakt kjo nuk ka ndodhur. Por, mendoj se për fryerje të listave është përgjegjëse prapë qeveria dhe komisioni.

Po komandatët e zonave a duhet të mbajnë përgjegjësi?

Qeriqi: Nuk mund të them të gjithë, megjithatë nuk e di pse edhe ata nuk kanë reaguar në këtë drejtim, sepse ka fryerje të listave. Ne kemi patur takime edhe me përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe ata deklarojnë se është numër i fryer. Edhe në takimet e mëhershme pas protestave të vitit 2011 kur Kryeministër ishte Zoti Hashim Thaçi, tash President i vendit, ai çdoherë ankohej se listat në Organizatën e Veteranëve të UÇK-së janë të fryera dhe se sipas tij duhet një verifikim. Në fakt ka ndodhur e kundërta, sepse në listën e veteranëve të luftës së UÇK-së në atë kohë kanë qenë të regjistruar dikund rreth 24 mijë veteranë, kurse me komisionin për verifikim nuk është bërë pastrimi dhe verifikimi i listave, por është bërë fryerja e listave, sepse tash në vend që të verifikohen ato lista dhe ato dosje, ato nuk janë marrë për bazë fare. Ka ndodhur e kundërta dhe janë krijuar lista të reja dhe është dyfishuar numri i veteranëve gjë që e shohim si të padrejtë dhe që na kanë hyrë në hak edhe neve që jemi me të vërtetë veteranë të luftës.

Një çështje tjetër është edhe ajo e invalidëve të UÇK-së që u është njohur statusi i invalidit dhe të cilët po presin që të themelohet komisioni për verifikimin dhe përcaktimin e shkallës së invaliditetit. Cila është procedura që ata duhet ta ndjekin dhe kur do të krijohet ky komision, a keni ju informacione?

Qeriqi: Ne në vazhdimësi po mundohemi të merremi me këtë proces të invalidëve të luftës dhe po kërkojmë informacione nga Qeveria e Kosovës, mirëpo është e pamundur të marrim një informacion të saktë për këtë gjë. Nuk po u përgjigjen kërkesave tona për të na dhënë informacion edhe pse kemi kërkuar edhe takime rreth kësaj çështje. Në vitin e kaluar kemi pasur një takim me Kryeministrin Mustafa dhe zëvendës kryeministrin Thaçi atëherë, tash president i Kosovës dhe në atë takim na është premtuar se procesi për invalidët e luftës do të fillonte brenda muajit shkurt të vitit 2016 dhe brenda atij muaji të përmbyllej i gjithë procesi. Kjo ka qenë deklaratë publike e zotit Mustafa dhe ne na është premtuar se brenda atij muaji do të përmbyllej i gjithë procesi dhe se do të fillonin të gjithë invalidët e luftës të aplikonin për të drejtën në pension, poashtu na është premtuar se komisioni për verifikimin dhe përcaktimin e shkallës së invaliditetit do të formohej brenda atij muaji.

Nga paslaufta kemi pasur shumë raste kur shumë ish ushtarë të UÇK-së ka bërë vetëvrasje, pastaj shumë nga ish ushtarët janë në gjendje të rëndë sociale. A keni ju si këshill statistika se sa veteranë kanë bërë vetëvrasje që nga paslufta dhe sa nga ta janë në kushte të rënda sociale?

Qeriqi: Ne nuk kemi patur asnjëherë kushte që të merremi me përpilimin e një statistike të saktë. Mirëpo në bazë të informacioneve që ne i posedojmë dhe që i kemi mbledhur nga tereni me bashkëluftëtarët tanë, numri i veteranëve të cilët kanë bërë vetëvrasje që nga përfundimi i luftës është 48 ish ushtarë. Shumica nga ta për shkak të kushteve të rënda ekonomike dhe i cili veprim është i rëndë, kur e mendoj sepse ata kanë mundur t’i bëjnë ballë gjithë asaj sfide, përballë gjithë asaj makinerie të Serbisë dhe pas lufte të vëtëvriten se nuk kanë mundësi t’i ushqejnë familjet e tyre është shumë e rëndë. Unë kam patur vizita tek familjet e disa prej të vetëvrarëve dhe jemi munduar që sipas mundësive tona të bëjmë përpjekje t’u dalim në ndihmë atyre familjeve me ndihmën e donatorëve të ndryshëm. /Infokusi/