SHPËRNDAJE

Nuk ka gjë më banale se vizita e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Shpend Ahmetit dhe Albin Kurtit. Së paku nga ajo që u përcoll në media. Një vizitë kjo për një foto me Eliza Dushkun dhe për postime në Facebook të “fansave” të partisë!
Derisa Shpendi me Albinin- të cilin me gjasë e ka bind se po e bën vizitën e shekullit dhe që ai ia ka mundësuar këtë gjë- mbanin një ligjeratë para nja 20 personave gjysëm të interesuar në organizimin e një Instituti pa nam të atjeshëm- uji që po largohej po i nxirrte në pah: gropat e Prishtinës! Jo vetëm ato të trashëguarat, por edhe këto të rejat.
Shpendi me Albinin po mbanin një ligjeratë aspak zyratare, por krejtësisht amatoreske para një Klubi të Studentëve. Një aso pra në të cilin do të mund të ligjëronte edhe Doktori më i ri “Honoris Causa” Agim Shahini!
Është e pashembullt që një kryetar komune, kudo në Evropë, e madje ndoshta edhe në Kosovë, të lë zyrën e tij për një javë me radhë e të shkojë pas disa ligjëratave nëpër kthina universitetesh para “klubeve” të studentëve. Ta përsërisim: jo në ndonjë takimi zyratar e me ftesë e peshë nga ndonjë qytezë e largët e Pensilvanisë, por për të shitur mend në Kosovë se edhe “ne” e kalojmë kufirin. Sa banale!
Pra këta të dy, Albini e Shpendi, nuk u takuan me askënd zyrtarisht  në SHBA- nuk ja qajtën hallin askujt me peshë atje për punët që kaq keq i kemi në Kosovë. Nuk nënshkruan me kënd atje qoftë edhe një marrëveshje bashkepunimi a partneritieti. Nuk i morën askujt ndonjë premtim a fond për të ndihmuar zhvillimin e vendit. Me një fjalë shkuan për t’u futografuar!
Dobët Shpend dhe prej teje nuk pritej! Fatkeqësisht të papriturat e kanë përshkruar qeverisjen tënde në Prishtinë në këta gjashtë muajt e parë.Të papritura, në kuptimin se pritnim diçka ndryshe.
Dhe po ia nisi me radhë të numëroj vetëm disa pritje bazike që kishim për dhe në ty.
Derisa veturat tona luhateshin nga një grope në tjetrën Shpendi njejtë sikur edhe Hashim Thaçi na dërgonte selfie e fotografi: ky me Elizën e Hashimi me Majlindën. Kam filluar të mos befasohem më.
Shpend, ma njeh vetëm një punë konkrete që e ke bërë këta muaj? Nuk ke Shpend sepse po të kishe patur- nuk kishe organizuar për to vetëm një konferencë për shtyp, por edhe një aheng, tashti jo në Filikaqa por në Sheshin e qytetit.
Shpend ti dhe Hashimi në gjashtë muajt e fundit- keni vepruar njejtë- keni qenë gjithë protagonizëm, ndërsa qeverisja jote ka qenë qeverisje e fotografive dhe deklaratave por jo edhe qeverisje e punës dhe rezultateve.
Edhe pushtetin e ke nisur njejtë sikur ai në vitin 2007: duke e pare, denoncuar dhe ndjekur korrupcionin te tjetri, paraardhësi. A të kutjohet Shpend kur Qeveria e vitit 2007 me policinë e gazetarët “vraponin” për të arrestuar filan drejtorat e shefat? A ke berë njejtë edhe ti, apo e kam gabim?
Ti Shpend të vërshimet, Hashimit te vërshimet. Ti Shpend te gypat e ujit, Hashimi te gypat e ujit. Ti Shpend me deklarata në Facebook, Hashimi me deklarata në Facebook.  Shume fjalë, shumë foto, shumë deklarata të mira- por pak për të mos thënë aspak punë. Dje ishe marrë sërish edhe me Kamishin, mirë! Po ta përseris Shpend, ndoshta na kënaq më këso deklaratash, por nuk ke të thuash ti për të më shumë sesa qytetarët e dijnë e më shumë se gazetarët që kanë raportuar për të. Mos dil me lista punësimi se nuk je evidencues. Por nis puno e rregulloje Kryeqytetin.Sepse nuk do marrësh votën për hetues, auditorë apo revizorë gjeneral, por për qeverisje!
Je marrë dhe po merresh me ish pushtetin, dhe mirë ke bërë. Por ti je marrë ekskluzivisht vetëm me të. Dhe kjo është e keqja. Nuk ke qeverisur Shpend, prandaj sot në Prishtinë ka më shumë bërllog se kurdo herë, prandaj në Prishtinë sot është rritur numri i vjedhjeve në rrugë- dhe këtë e evidenton edhe Ambasada Amerikane. Bile edhe qentë endacak në Gërmi janë shtuar. Veturat sot kryetar Shpendi, i sheh një mbi një nëpër trotuare. Shtohen gropat Shpend sepse atyre dikush duhet t’u rrijë gati, rritet shkalla e krimit Shpend, sepse dikush duhet të përkujdeset për këtë punë në bashkëpunim me policinë!
Pyetja pra është kjo: kur don të fillosh?
Zyret e Komunës i ke shëndërruar në zyre të partisë njëkohësisht. Si është e mundur Shpend, që në takime me palët e interesuara, kur ti s’ke mundësi t’i takosh, të “përfaqësojnë” zyrtarë e deputetë të VV! dhe jo personat përgjegjës nga Komuna?
Shpend ti dhe qeverisja jote, në këta muaj nuk keni vjedhur, por ky është argument banal, sepse kjo është e ndaluar me ligj. Në gjashtë muajt e parë nuk besoj që ka mbërritur të vjedh askush. Madje të besoj që ti dhe një pjesë e ekipit tënd nuk do të bëheni hajna as më vonë, por ti Shpend nuk ke qeverisur deri më tash. Vetëm je (vet)inskenuar!
Po ta them për fund Shpend: kështu nuk mendoj vetëm unë, mendojnë edhe shumë të tjerë- përfshirë ketu edhe kolegë të mij gazetarë. Nuk po ta thonë se disa po të ruajnë e disa i frikësohen luftës me makinerinë që e keni veçanërisht në rrjetë sociale.
Kthehu prej vizitave amatoreske në Amerikë, lej llafet e fotot- e fillo të kryesh punë. Ende nuk je zhgënjim, por asaj rruge ke hyrë.
Kaq kam për fillim!

Shkruan: Astrit Gashi