SHPËRNDAJE

Numri i lartë i martesave me meshkuj maqedonas është si rezultat i femrave nga Shqipëria që kurorëzohen në të shumtën e rasteve e meshkuj maqedonas, të moshave të vjetra që nuk kanë mundur të martohen me vajza maqedonase

Aida XHONI

Shkup, 22 qershor – Pesëdhjeteshtatë vajza shqiptare vitin e kaluar janë martuar me burra të etnitetit maqedonas, thonë të dhënat zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikës së Maqedonisë (ESHS), shkruan gazeta KOHA. Më konkretisht, vajzat shqiptare janë bërë nuse të maqedonasve, turqve, boshnjakëve madje edhe romëve e serbëve. Sipas po këtyre të dhënave, shqiptaret martohen me maqedonas, maqedonaset s’i duan shqiptarët!

“Vitin e kaluar, në Maqedoni kanë ndodhur 13.781 martesa. 6971 martesa janë lidhur midis maqedonasve, 4760 martesa midis shqiptarëve… Prej tyre, 23 femra maqedonase janë martuar me shqiptarë, 57 femra shqiptare kanë vendosur kurorë me maqedonas, 1 shqiptare është martuar me rom, 35 shqiptare me turk, 2 shqiptare me serb, 6 me boshnjak dhe 17 me të ndryshëm. 9 rome janë martuar me shqiptarë, 7 serbe janë bërë nuse shqiptarësh”, thuhet në Raportin e Entit Shtetëror për Statistikë të Maqedonisë.

Megjithatë, numri i lartë i femrave shqiptare që martohen me meshkuj maqedonas është si rezultat i femrave nga Shqipëria që martohen në Maqedoni, edhe atë në të shumtën e rasteve për meshkuj maqedonas, të moshave të vjetra që nuk kanë mundur të martohen me vajza maqedonase, thotë për gazetën KOHA, sociologu Rezak Jakupi.

“Me të vërtetë kjo dukuri po merr përmasa më të mëdha se më parë, sa i përket martesave midis etniteteve por duhet bërë një sqarim kur bëhet fjalë për martesa midis etniteteve të popullatës shqiptare me atë maqedonase, numri duket se është alarmant nga shkaku se këtu nuk bëhet sqarim i qartë midis vajzave shqiptare nga Shqipëria që martohen me shtetas maqedonas në Maqedoni, prandaj dhe ky numër duket shumë i madh dhe alarmant. Si barrierë kryesore midis martesave të përziera shihet tek përkatësia fetare sesa etnike. Vallë cili prej partnerëve do të ndikojë pas një lidhje të martesës së tyre, frika nga dominimin i fesë të njërës anë nga ana tjetër e kështu me radhë, por në përgjithësi në bazë të hulumtimeve të shumta një mendim i përgjithshëm është pozitiv sa i përket ndikimit dhe lidhjeve të martesave”, sqaroi Jakupi. Ndryshe, zyrtarisht vitin e kaluar në Maqedoni kanë ndodhur 13.781 martesa, dhe 1994 divorce. (koha.mk)