“Faleminderit për gjithçka” – LeBron James dërgon një mesazh emocionues në drejtim të Kloppit – Telegrafi

0
31

Legjenda e NBA-së, LeBron James, ka dërguar një mesazh emocionues në drejtim të Jurgen Klopp, pas njoftimit të tij se do të largohet nga Liverpooli në fund të sezonit.

Me Klopp i cili befasisht lajmëroi për largimin e tij nga “Anfield” pas nëntë viteve në klub, pasi iu bashkua në vitin 2015, gjermani ka marrë një sërë mesazh në rrjetet sociale, duke përfshirë një prej legjendës amerikane të basketbollit, i cili njihet si tifoz i Liverpoolit, madje ka një përqindje të aksioneve.

“Faleminderit për gjithçka dhe më shumë. Ju ishit një menaxher i mirë dhe nuk do të harroheni dhe më e rëndësishmja, ju nuk do të ecni kurrë vetëm. Do t’iu mungosh “Të Kuqve”, ka shkruar James në platformën X (ish-Twitter).

Gjermani largohet nga klubi si legjendë, pasi ka fituar gjashtë trofe nën drejtimin e Liverpoolit. Ai në mënyrë efektive e transformoi klubin anglez nga një klub i mesit të tabelës, në një që lufton për të gjitha trofetë.

Bordi drejtues i Liverpoolit tashmë ka nisur ‘gjahun’ për të gjetur zëvendësuesin ideal të Kloppit, teksa ky i fundit do përpiqet ta mbyllë aventurën e tij në Angli me trofe.

Liverpool do të luajë të dielën e 28 janarit ndaj Norwichit, në kuadër të rrethit të tretë të FA Cup./Telegrafi/