Osmani dhe Nagavci ngushëllojnë familjen e akademik Feriz Krasniqit – Telegrafi

0
54

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci kanë shprehur ngushëllime për ndarjen nga kjo jetë të akademikut, Feriz Krasniqi. 

Në faqen zyrtare të Presidencës së Republikës së Kosovës thuhet se presidentja Vjosa Osmani u shpreh ngushëllime familjes dhe miqve për ndarjen nga jeta të akademik Feriz Krasniqit.

“Jam thellësisht e pikëlluar nga shuarja e akademik Feriz Krasniqit, ish-rektor e prorektor i Universitetit të Prishtinës, si dhe ligjërues universitar.

Kontributi i tij për themelimin e Universitetit të Prishtinës është tejet i çmuar, sikurse edhe puna e tij e palodhshme në sferën akademike, e cila mbetet testament për brezat dhe kujtim i përhershëm për të.

Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve, Universitetit të Prishtinës dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”, shkruhet në status të Facebook-ut.

Po ashtu edhe ministrja, Nagavci ka thënë se tashmë i ndjeri akademik, Feriz Krasniqi dha një kontribut të madh në lëmin e kërkimeve shkencore.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin se ka ndërruar jetë akademik, Feriz Krasniqi i cili dha kontribut të madh në lëmin e kërkimeve shkencore, në procesin arsimor-edukativ të shumë brezave, sigurimin e literaturës së nevojshme nga lëmi i biologjisë, zhvillimin institucional si dhe afirmimin e Universitetit të Prishtinës”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Po ashtu ajo tha se akademik Feriz Krasniqi ushtroi një varg funksionesh të ndryshme: një mandat ishte prorektor i Universitetit të Prishtinës, gjatë viteve 1973-1975 dhe dy mandate rek­tor i Universitetit të Prishtinës, gjatë periudhës 1975-1979.

“Gjithashtu kreu edhe disa funksione shtetërore, si deputet i Dhomës të Kom­beve të Kuvendit të dikurshëm Federativ dhe anëtar i Kryesisë së di­kur­shme të Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Nagavci në Facebook.