Irani mohon: Nuk i vramë ne ushtarët amerikanë! Biden: Do të hakmerremi

0
28

“Nuk ishim ne”, Irani mohoi përfshirjen në sulmin me dron në Jordani që vrau tre ushtarë amerikanë e plagosi dhjetëra të tjerë.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar David Cameron fajësuan menjëherë grupet e mbështetura nga republika islamike për sulmin e së dielës pranë kufirit me Sirinë.

“Siç e kemi thënë qartë edhe më parë, grupet e rezistencës në rajon po i përgjigjen krimeve të luftës dhe gjenocidit të regjimit sionist që vret fëmijë. Ata nuk marrin urdhra nga Republika Islamike e Iranit”, deklaroi ministria e Jashtme iraniane përmes zëdhënësit Nasser Kanaani.

“Këto grupe vendosin dhe veprojnë bazuar në parimet dhe prioritetet e tyre, si dhe në interesat e vendit dhe popullit të vet”, shtoi ai. Kanaani u shpreh se pretendimet për përfshirje iraniane motivohen nga “qëllime specifike politike për të përmbysur realitetet e rajonit” dhe janë të ndikuara “nga palë të treta, duke përfshirë Izraelin”.

Misioni Iranian në OKB po ashtu u shpreh përmes një deklarate të përcjellë nga agjensia e lajmeve IRNA se Teherani “nuk ka asnjë lidhje” me sulmin, për të cilin fajësoi “konfliktin mes forcave amerikane dhe grupeve të rezistencës në rajon”. Përgjegjësinë për goditjen e mori Rezistenca Islamike në Irak, një organizatë ombrellë e grupeve të armatosura të mbështetura nga Irani, thotë Al Jazeera.

Sulmi me dron në Kullën 22, një bazë logjistike mbështetëse, shënoi humbjet e para të jetëve amerikane nga zjarr armik që prej fillimit të luftës në gaza. Teksa u zotua për hakmarrje, Biden, i cili ka mbështetur me vendosmëri luftën e Izraelit në Gaza, e dënoi “sulmin si të neveritshëm dhe krejtësisht të padrejtë” dhe është zotuar se t`i bëjë përgjegjësit të “ japin llogari në një kohë dhe në mënyrën që ne kemi zgjedhur”, siç tha ai.

Jordania e dënoi atë që e quajti një “sulm terrorist” në një vend ushtarak, duke thënë se po bashkëpunonte me Shtetet e Bashkuara për të forcuar mbrojtjen e saj kufitare. Ajo është një aleate e ngushtë e SHBA-së në Lindjen e Mesme dhe Pentagoni ka të stacionuar afër 3.000 trupa në këtë shtet, që shpesh mbështesin veprimet në Siri.


Top Channel