Thasët që përdoreshin për barrikada, Elshani: Dëshmi se grupet kriminale kanë qenë të armatosur rënd dhe planifikonin të sulmonin Policinë – Telegrafi

0
41

Dhjetëra thasë të mbushura me rërë janë gjetur sot në një objekt në veri të Kosovës të cilat janë përdorur si istikame për të sulmuar Policinë dhe në mbrojtje të barrikadës si dhe kontrollimit të rrugës kryesore që të dërgojnë në Zveçan.

Kështu tha për Telegrafin zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani.

Ai tha se Policia e Kosovës ka pranuar informacione se në një objekt publik në Komunën e Zveçanit, ka disa gjëra materiale të cilat janë shfrytëzuar nga grupet terroriste serbe në kohën e barrikadave.

Sipas tij, thasët e mbushura me rërë janë gjetur në katin e tretë të një objekti.

“Sot, gjatë kontrolleve që ka bërë policia ka konstatuar se në katin e tretë të kësaj ndërtese janë dhjetëra thasë të mbushur me rërë që kanë qenë si istikame për të sulmuar Policinë dhe në mbrojtje të barrikadës dhe kontrollimit të rrugës kryesore që të dërgojnë në Zveçan”, ka thënë Elshani.

Tutje ai shtoi se ky objekt publik është shfrytëzuar nga pjesëtarët e organizatave terroriste si Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut.

“Kjo është edhe një dëshmi se grupet kriminale kanë qenë të armatosur rënd dhe kanë pasur plane që të sulmojnë Policinë e Kosovës në rast se ata do të tentonin t’i largonin barrikadat”, ka thënë ndër të tjera, Elshani. /Telegrafi/