Mexhiti: Kurti mbështet opozitën shqiptare në Maqedoni, LVV do të jetë pjesë e zgjedhjeve – Telegrafi

0
57

Kryetari i Lëvizjes Demokratike në Maqedoni të Veriut, Izet Mexhiti, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbështet opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe se Lëvizja Vetëvendosja do të jetë pjesë e opozitës atje.

Sipas tij, LVV-ja “de-facto” është pjesë e opozitës shqiptare atje.

“Më konkret rreth bashkëpunimit, zoti Kurti dhe Vetëvendosja mbështet serish opozitën shqiptare si edhe ma herët. Vetëvendosja është pjesë e opozitës shqiptare atje, de-jure nuk do të jetë, sepse nuk është regjistruar në Maqedoni. De-facto, veç është pjesë e opozitës shqiptare, sepse opozita shqiptare, është në kuadër të Lidhjes Evropiane për Ndryshim”.

“Veç jemi duke e përgatitur programin zgjedhor dhe atë janë duke punuar katër subjektet dhe përfaqësues të LVV-së si Arbër Zaimi, Bekim Qoku dhe ekspertë të tjerë jemi në bisedime edhe me Taravarin”, ka thënë Mexhiti në RTV Dukagjini.

Ndërsa mbrëmë në studion e njëjtë, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, që është edhe nënkryetar i partisë shqiptare BDI ka komentuar përfshirjen e mundshme të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e këtij vendi.

Osmani ka thënë se kushdo që është në qeveri në Kosovë apo Shqipëri, shqiptarët e Maqedonisë do të bashkëpunojnë.

“Ndërhyrja direkte për të mbajtur anë e destabilizon skenën politike. Albin Kurti e ka bërë këtë ndërhyrje në shumë palë zgjedhje parlamentare. Eksponent të LVV-së kanë mbajtur fjalime në tubime. Në fillim kemi thënë është ok, pasi janë parti të profilit të njëjtë politikë. Por kjo që po flitet së fundmi për përfshirje në zgjedhje është tjetër dimension që është i dëmshëm pasi legjitimon ndërhyrjen nga jashtë në Maqedoninë e Veriut”, ka deklaruar Osmani.

Ndërsa, siç njoftoi zyra e Kryeministrit, gjatë së martës Kurti priti në takim Arben Taravarin, kryetar i Aleancës për Shqiptarët (ASh) dhe i komunës së Gostivarit, si dhe udhëheqësit e Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN), Bilall Kasamin, kryetar i Lëvizjes BESA e i komunës së Tetovës, Izet Mexhitin, kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe deputeti e Afrim Gashin, kryetar i Alternativës, po ashtu deputet.

Kujtojmë se para pak ditësh në RMV është zgjedhur kryeministër teknik, Talat Xhaferi, nga BDI, kështu duke u bërë kryeministri i parë shqiptar në historinë e shtetit maqedonas.