Paraburgim ndaj dy zyrtarëve të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dyshohen për keqpërdorim të pozitës – Telegrafi

0
31

Dy zyrtarëve të Gjykatës Themelore në Prishtinë, D.H dhe I.I, iu është caktuar masa e paraburgimit nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Arrestimi i dy të dyshuarve është bërë të hënën nga Departamenti i Krimeve të Rënda – Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurve I.I dhe D.H për shkak të dyshimit se në bashkëveprim kanë  kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.

“Gjyqtarja e Procedurës Paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe dy të pandehurve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj për secilin, masa e paraburgimit është caktuar në kuptim të nenit  184 paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 , pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së”.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/