Punonjës të administratës Biden mbajnë ‘Ditë agjërimi’ në protestë ndaj politikave për Gazën (fotot)

0
41

Një grup punonjësish të administratës federale në SHBA që kundërshtojnë mbështetjen e presidentit Biden për rrethimin e Gazës nga ushtria izraelite, njoftuan mbajtjen e “Ditës së agjërimit” për të tërhequr vëmendjen ndaj krizës humanitare në territorin e bombarduar palestinez.

Grupi i quajtur “Feds United for Peace” (Punonjësit federalë për Paqen), me përfaqësues nga më shumë se 20 agjenci qeveritare, do të mbajnë nesër grevën e urisë 24-orëshe, pas disa protestave kundër mbështetjes së pandalur të qeverisë së Biden për Izraelin, teksa numri vdekjeve palestineze i ka kaluar 25 000, shkruan rrjeti britanik TheIndependent.

Grupi mbajti gjithashtu “Ditën e zisë” më 16 janar ku punonjës nga disa shtete të SHBA shënuan ditën e 100-të të fushatës ushtarake dhe bombardimeve të ushtrisë izraelite. Veprimi ka tërhequr kritika nga kongresmenët, teksa kreu republikan i Kongresit tha se  “ata meritojnë të shkarkohen”.

Dita e Agjërimit kërkon të ndërgjegjësojë për “përdorimin e urisë si një armë lufte, duke ndaluar qëllimisht kalimin e ndihmave drejt Gaza”, thanë aktivistët duke cituar raportin e OKB ku thuhet se 2 milionë palestinezë janë në rrezik vdekjeje nga uria.

“Rrethimi ushtarak i Izraelit ka çuar familjet në Gaza pranë vdekjes nga uria. Kur dita jonë e agjërimit të ketë mbaruar, më shumë se 26 000 palestinezë do të jenë vrarë nga Izraeli në Gaza që prej 7 tetorit. Gaza është kthyer në një vend të pajetueshëm dhe banorët e saj të detyruar të largohen në jug, bombardohen, lihen pa ushqim dhe në dëshpërim”, thuhej në deklaratën e aktivistëve.

Veprimi vjen pas disa dorëheqjeve dhe shfaqjeve të brendshme të kundërshtimit për politikat nga zyrtarë të Kongresit, duke kërkuar armëpushim në konfliktin me rreth 10 000 të mitur të vrarë dhe 2 milionë të larguar nga shtëpitë e tyre.

Javën që shkoi një grup punonjësish të administratës organizuan një protestë për të dënuar kreun e stafit të Shtëpisë, Jeff Zients i cili tha se po organizonte një festë për “ngritjen e moralit” të punonjësve.

“Jemi të revoltuar nga një shfaqje apatie totale për jetët që humbasin në atë rajon prej tre muajsh”, thuhej në deklaratën e grupit më 25 janar, teksa shtohej: “Nuk ka justifikim për këtë nivel shkatërrimi e terrori. Ne ju kërkojmë të urdhëroni armëpushimin, të ndaloni përfshirjen tuaj në këtë brutalitet”.

Këtë maj një drejtor në ministrinë e arsimit të SHBA dha dorëheqjen prej mbështetjes së administratës për “sulmet e vazhdueshme dhe spastrimin etnik të Izraelit në Gaza”, shkruan rrjeti TheIndependent.

“Çdo dhunë kundër njerëzve të pafajshëm është e tmerrshme, unë mbaj zi për çdo humbje jete, izraelite apo palestineze, por nuk mund të përfaqësoj një administratë që nuk vlerëson njëlloj të gjitha jetët njerëzore”, shkruante në letrën e dorëheqjes Tariq Habash, të botuar gjithashtu në media.

Më herët zyrtari Departamentit të Shtetit Josh Paul, dha dorëheqjen duke thënë se vazhdimi në postin e tij “vetëm do të sjellë më shumë vuajtje si për popullin palestinez dhe atë izraelit.”