Gërvalla takon ministrin gjerman të Mbrojtjes, flasin për sigurinë në rajon – Telegrafi

0
36

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka takuar ministrin Federal të Mbrojtjes të Gjermanisë, Boris Pistorious, në prag të vizitës së tij në Republikën e Kosovës.

Gërvalla e njoftoi ministrin Pistorius rreth situatës së sigurisë në Kosovë dhe rajon, veprimeve të vazhdueshme kërcënuese të Serbisë dhe nevojën e ndërmarrjes së hapave të shpejtë dhe të vendosur për ruajtjen e paqes së brishtë në rajon.

Ministrja Gërvalla, përmes një postimi në platformën X, tha se ka falënderuar ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, në veçanti për mbështetjen e madhe që Gjermania i ka dhënë FSK-së në ngritjen e kapaciteteve si dhe kontributin e Gjermanisë të dhënë prej vitesh në kuadër të KFOR-it.

Në këtë drejtim Gërvalla kërkoi një rritje dhe përforcim të rolit të Gjermanisë në rajon.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit në mes të dy shteteve, duke krijuar mundësi për një të ardhme të sigurt dhe prosperues në rajon. /Telegrafi/