Shërbim i ri në e-Kosova, mund të bëhet aplikimi për provimin teorik dhe praktik për patentë-shofer – Telegrafi

0
46

Në platformën e-Kosova është publikuar shërbimi për aplikim dhe ndarje të termineve për provimin teorik dhe praktik për patentë-shofer.

Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, përmes një postimi në Facebook.

“Me qëllim të zbatimit të zotimit për transparencë të plotë, në kuadër të MMPHI-së, në bashkëpunim me ASHI, kemi lansuar projektin lidhur me aplikimin dhe ndarjen e termineve për provimin teorik dhe praktik për patentë-shoferë”, ka shkruar Durmishi.

Ai tutje ka bërë të ditur se prej sot, përmes platformës së e-Kosova fletëpagesat mund të realizohen në mënyrë digjitale.

“Si Ministri jemi kujdesur që deri në finalizimin e plotë të digjitalizimit, të drejtën e aplikimit qytetarët e kanë edhe përmes zyrave në njësitë rajonale”.

Zëvendësministri ka thënë se ky projekt synon lehtësimin e procedurave të aplikimit për patentë-shofer për qytetarët e vendit.

“Ky është një hap tjetër i domosdoshëm e i rëndësishëm drejt digjitalizimit si reformë e rëndësishme për rritjen e cilësisë, efikasitetit dhe transparencës”, ka përfunduar Durmishi. /Telegrafi/