Zyrtare: Qëndrim Zyba kalon te Legia Varshava, por ndryshon formula e transferimit – Telegrafi

0
40

Mesfushori Qëndrim Zyba ka kompletuar më në fund transferimin nga Ballkani te Legia Varshava, por në formën e huazimit me të drejtë blerje.

Edhe pse gjatë ditës thuhet ka hasur në një pengesë, tashmë palët kanë rënë dakord për gjithçka.

Ka qenë klubi suharekas që e ka njoftuar transferimin e mesfushorit te Legia përmes rrjeteve sociale.

“Ju njoftojmë se super mesfushori ynë dhe i Kombëtares së Kosovës, Qëndrim Zyba, e vazhdon karrierën te skuadra prestigjioze e Legias së Varshavës. Futbollisti huazohet te ekipi polak deri në fund të sezonit, me të drejtë blerje të gjithë kartonit”.

“Klubi e falenderon Zybën për kontributin e madh që ka dhënë me ne, duke ndihmuar në arritjen e objektivave tona, kurse ne jemi të lumtur që si vatër e ngritjes profesionale të lojtarëve, krijojmë në vazhdimësi mundësi për ta që të arrijnë lartë e më lartë”, thuhet në njoftimin e Ballkanit.

Zyba më parë ka bërë emër të Prishtina ku kishte fituar edhe titullin e kampionit, gjë që e ka bërë edhe me Ballkanin.

Ai ka katër paraqitje edhe me Përfaqësuesen e Kosovës. /Telegrafi/