SHPËRNDAJE

Eurokomisioneri për Zgjerim, Johanes Hahn, ka thënë sot se çfarëdo zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Ndërkohë sa i përket progresit për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se është shumë herët të flitet për detajet.

Këtë deklaratë Hahn e ka bërë përpara takimin joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së në Vjenë të Austrisë.

“Marrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet të arrihet nga liderët e të dyja vendeve. Progres është bërë, por është shumë herët të diskutohet për detajet. Por është e qartë që çfarëdo marrëveshje që arrihet duhet ti kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Hahn para gazetarëve.

Ndryshe, Thaçi dhe Vuçiq si ide për zgjidhjen e çështjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë prezantuar shkëmbimin e kufijve ndërmjet dy vendeve, gjë që është parë si jashtëzakonisht e rrezikshme për rindezjen e konflikteve në Ballkan.

Ndërkohë, ka dy ditë që edhe Thaçi edhe Vuçiq po e shmangin përmendjen e kësaj ideje. Gjatë një bisede të djeshme me ndihmëssekretarin amerikan Wes Mitchell, asnjëri nga dy presidentët nuk e kishin përmendur shkëmbimin e territoreve si ide.
Opozita kosovare e ka kundërshtuar ashpër këtë ide, dhe pritet të organizojë edhe protesta më 7 shtator, ditë kjo kur Thaçi do të udhëtojë për takimin e radhës me Vuçiqin në Bruksel, e ku pritet të prezantohet dhe marrëveshja ndërmjet dy vendeve.