SHPËRNDAJE

Me një urim për vitin e ri shkollor Kryetari i Kuvendit ka dhënë lajmin se nesër do debatohet kërkesa e opozitës për rezolutë për ndalesën për shkëmbimin e territoreve.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ka bërë të ditur se seanca e jashtëzakonshme lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë do të mbahet të martën, më 4 shtator.

Veseli tha se proceduralisht kanë vepruar në bazë të një kërkese të deputetëve dhe në seancën e së martës do ta kenë vetëm një pikë të rendit të ditës.

“Kemi vepruar do ta kemi seancën e jashtëzakonshme nesër komentet politike do i kemi nesër”, ka thënë shkurt Veseli.

Partitë opozitare LDK, Vetëvendosje dhe PSD kanë dorëzuar javën e kaluar kërkesën për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme më 4 shtator. Në këtë seancë pritet të miratohet rezoluta, e cila ia ndalon presidentit Thaçi të bisedojë me Serbinë për territor.

Tri partitë opozitare, kanë iniciuar mbajtjen e kësaj seance pas deklaratave të presidentit për korrigjim të kufijve. Rezoluta, e cila pritet të prezantohet në këtë seancë, ka vetëm një pikë: “Që askush nuk ka të drejtë ta negociojë dhe cenojë territorin e Kosovës”.