Vihet gurthemeli i Qendrës Rezidenciale për të moshuarit në Podujevë, bashkëfinancim i “Jetimave të Ballkanit” dhe Komunës – Telegrafi

0
46

Në Podujevë sot u vu gurthemeli i Qendrës Rezidenciale për të moshuarit, projekt ky në vlerë 2.5 milionë euro bashkëfinancim nga Komuna e Podujevës dhe Shoqata “Jetimat e Ballkanit”.

Kryeministri Albin Kurti, i cili ishte pjesë e ceremonisë që u mbajt ditën e premte, së bashku me kryetarin e Podujevës Shpejtim Bulliqi dhe humanistin Halil Kastrati, tha se për pleqtë duhet të kujdesemi si për fëmijët.

Kreu i Qeverisë bëri të ditur se kjo qendër do të ketë 2700 metra katror dhe për këtë investim janë dhënë 530 mijë euro nga shteti dhe nga organizata “Jetimat e Ballkanit” janë dhënë 2 milionë euro.

“Jemi këtu me kryetarin Podujevës dhe me veprimtarinë e shquar sociale Halil Kastratin, që të vëmë gurthemelin e Qendrës Rezidenciale për të moshuar, e cila do ta ketë sipërfaqen 2,700 metra katror.  530 mijë euro janë investim nga shteti nga Komuna, ndërkaq investim i organizatës ‘Jetimëa e Ballkanit’ janë 2 milionë euro. Kjo Qendër Rezidenciale për të moshuar do ta ketë parkun, do ta ketë fizioterapinë por gjithashtu do ta ketë edhe kujdesin primar shëndetësor”, tha ai

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se në këtë qendër do të kenë mundësi që të marrin shërbime rreth 100 të moshuar.

Ai falënderoi bamirësin Kastrati për kontributin që është duke e dhënë për këtë kategori të shoqërisë.

“Kjo është një shenjë që po tregojmë përveç investime që po i bëjmë në infrastrukture publike shkollore, është radha të mendojmë edhe për këtë kategorie të moshuarave. Këtu do të kenë mundësin qe te marrin  shërbime përafërsisht 100  të moshuar brenda ditës. Ketë rast e falënderoj bamirësin ton Halil Kastratin për krejt ketë  ndihmë që po bënë në komunën tonë ne kategorinë e të moshuarave”, tha ai.

Ndërkaq humanisti Halil Kastrati, tha se ky projekt ka ardhur pas një bashkëpunimi mes organizatës së tij dhe komunës së Podujevës.

“Ky projekt vjen pas një bashkëpunimi të mirëfillt mes ‘Jetimëve të Ballkanit’ dhe Komunës së Podujevës. Ne, përveç këtij projekti, kemi realizuar edhe mbi 100 shtëpi nevojtare për komunën e Podujevës. E kemi zgjedhur ditën e sotme meqenëse jemi në prag të Ditës së Heronjve te Podujevës. I falënderoj familjarët e tyre për pjesëmarrje po ashtu faleminderit Kryeministër kryetar Bulliqi për bashkëpunim”, tha ai.

Sipas njoftimit nga “Jetimat e Ballkanit”, Qendra do të ofrojë qëndrim ditor për të moshuar, kuzhinë humanitare për nevojtarë dhe bujtinë për studentë.

Ky objekt është destinuar për qëndrim ditor të moshuarve dhe në kuadër të tij do të jetë kuzhina popullore,bujtina për nxënës, studentë, hapësira rekreative, shërbime shëndetësore,parku,dhomat fizioterapeutike etj.

Ky projekt ka kohë që është ideuar, është iniciuar në asamblenë komunale më 29.korrik.2023 dhe ka kaluar të gjitha procedurat. /Telegrafi/