SHPËRNDAJE

 

Shkruan: Jeton Ismaili

Për herë të parë në histori, përjashtuar deri diku konfliktin e armatosur të viteve 2000-2001, Lugina është bërë temë mbarëkombëtare e çështë më e rëndësishmja, çdo ditë e më shumë ajo po merrë përmasa të karakterit ndërkombëtarë.
E gjithë kjo po ndodhë pas shfaqjes në opinion të idesë së presidentit, Hashim Thaçi, për mundësinë e bashkangjitjes me Kosovë të komunave të Preshëvs, Bujanocit dhe Medvegjës.
Edhepse ideja e Thaçit nuk është e sqaruar si duhet, përfshirë edhe kontradiktat që mbretërojnë brenda koalicionit qeverisës dhe kundërshtimeve të opozitës, megjithatë i gjithë spektri politik shqiptarë i Luginës e ka mbështetur një gjë të tillë. Madje, në përkrahje të saj janë deklaruar edhe këshilltarët shqiptarë të kuvendeve komunale të të trija komunave të sipërpërmendura duke e miratuar një Deklaratë të përbashkët, ndërsa pas një takimi të zhvilluar muajin e kaluar në Prishtinë, në njëfarë mënyre liderët e Luginës edhe e kanë autorizuar njeriun e parë të Kosovës të shpalos në tavolinën e bisedimeve në Bruksel çështjen e këtij rajoni.
Përkundër termave të ndryshëm të përdorur kohëve të fundit si, korrigjim, shkëmbim, ripërkufizim, etj, është plotësisht e qartë se në suaza të Marrëveshjes finale midis Prishtinës dhe Beogradit do të vihet paralelja midis Veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevës.
Në këtë kontekst, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka shumë më të lehtë të flasë dhe të pozicionohet në favor të pjesës së Kosovës në veri të lumit Ibër, ngase shteti që përfaqëson ai kontrollon gati se gjithçka në atë territor, kështu që i mbetet vetëm se legalizimi i gjendjes faktike.
Në anën tjetër, pozicioni i z. Thaçi do të jetë shumë më i vështirë pasi që ka të bëjë me prezantimin e një rajoni, siç është Lugina e cila si de facto ashtu edhe de jure kontrollohet dhe është nën juridiksionin e shtetit serbë.
Lehtësirat e Vuçiqit janë rrjedhojë e gjendjes së krijuar në Veri të Kosovës që nga qershori i vitit 1999, kurse vështirsitë e Thaçit për Luginën kanë të bëjnë me një gjendje që mbizotëron prej gati 150 vjetësh duke u ndërlikuar disi edhe në vitet e 50-ta të shekullit të kaluar.
Në një situatë të tillë, presidentit Thaçi i duhet mbështetje bazike e cila do të vinte nga vet Lugina. Dhe kjo mbështetje duhet t’i tejkalojë liderët politik dhe të zbres tek populli. Por, do duhet të jenë vet liderët që do e nxisin popullin.
Është e vërtetë se shqiptarët me anë të Referendumit të vitit 1992 janë deklaruar për bashkim me Kosovën, sikur se që është e vërtetë që edhe subjektet politike shqiptare me dhjetëra herë kanë kërkuar reciprocitet me të drejtat e serbëve në Kosovë, njëkohësisht duke kërkuar edhe mbështetje nga Prishtina dhe Tirana zyrtare.
Por, a mjafton me kaq? Jo dhe aspak. Derisa përgjatë viteve të fundit, serbët e Veriut të Kosovës përmes formave të ndryshme, madje duke përdoruar edhe elementet e dhunës, kanë kontestuar çdo gjë që i përket Kosovës, shqiptarët e Luginës kanë qenë totalisht të diciplinuar në Serbi.
A duhet të ndryshojë qasja në Luginë?
Po, sepse tash është momenti.
Për ta qartësuar këtë elaborim, themi është momenti i fundit që lidershipi i Luginës të bëjë diçka përtej deklaratave. Nuk ka rast më të mirë se tani, që paria e Luginës së paku të ftojë popullin në tubime gjithëpopullore në mbështetje të idesë për bashkimin përfundimtar me Kosovën. Dhe, këto tubime do duhej të ishin të parreshtura derisa të duken qartazi kahjet e bisedimeve të Brukselit. Ato do duhej të karakterizoheshin për nga masoviteti si kurrë më parë dhe do duhej të dërgonin mesazhe në shumë drejtime. E para, do të rikonfirmohej se popullata shqiptare e Luginës do përfundimisht bashkangjitje me Kosovën. E dyta, internacionalizimi i çështjes do të arrinte kulminacionin. E treta, presidenti Thaçi do fitonte një legjitimitet të plotë që ta fuqizojë idenë e tij karshi Serbisë dhe faktorit ndërkombëtarë si dhe, e katërta, pak kush në Kosovë më do të ishte kundër kësaj ideje.
Nëse Lugina vazhdon të heshtë dhe nëse tërë luftën e bënë në suaza të deklaratave mediale atëherë shumë më i vështirë do të ishte epilogu i favorshëm. Përkundrazi, do të kuptohej se Luginës i mungon vullneti, ndërsa inatet e disa rrymave politike në Kosovë për të penguar këtë proces sa vijnë e do të shtoheshin. Krejtësisht në fund, edhe vet ideja për bashkim më do ta humbte kuptimin.

(Autori është gazetar dhe drejtor i TV Spektrit, Bujanoc)