SHPËRNDAJE

Ish-kongresisti Joe DioGuardi ka folur për idenë e fundit dhe debatet për shkëmbimin e mundshëm të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë.

Ish-kongresisti dhe lobisti i parë shqiptar në SHBA, DioGuardi thotë se së pari Serbia duhet të njoh pavarësinë e Kosovës dhe pastaj të bisedohet për tema të tilla.

“Nuk mund t’u zësh besë serbëve. Ashtu siç nuk mund t’i besosh Putinit, nuk mund t’u besosh serbëve. Ata gënjejnë. Shihni se çfarë ndodhi me Millosheviçin. Le të kemi një diskutim të hapur për këtë temë, ku njerëzit mund ta dëgjojnë. Sepse çfarëdo që të jetë zgjidhja, duhet që të mbështetet nga njerëzit, përndryshe do të ketë lloje të ndryshme konfliktesh në të ardhmen”, theksoi DioGuardi në një intervistë për INA.

“Shqiptarët e Preshevës, disa thonë se janë 100 mijë, mbase janë më pak deri në 50 mijë, por nuk e dimë. Serbët nuk lejojnë të bëhet një census i ndershëm. Nuk e dimë ende edhe se sa shqiptarë janë në Maqedoni. Ata janë të paktën 800 mijë dhe unë mendoj mbase edhe mbi një milion. Por ata thonë jo, janë vetëm 25 për qind, që do të thotë se janë vetëm 500 mijë shqiptarë. E gjithë kjo është lojë politike, sepse nëse ata e pranojnë se janë shumë shqiptarë, atëherë duhet të bëjnë shumë më shumë për të drejtat e tyre, siç është pikëpamja ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, theksoi ai.