SHPËRNDAJE

10 shtatori është përcaktuar si Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve, e cila ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit në mbarë botën se vetëvrasja mund të parandalohet.

Vetëvrasjet përbëjnë një fenomen kudo në botë si edhe në vendin tonë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë ky fenomen është rritur me 60% në mbarë botën gjatë 45 viteve të fundit.

Rreth 3000 njerëz kryejnë vetëvrasje brenda një dite në mbarë botën dhe për çdo vetëvrasje të kryer, rreth 20 të tjerë mund të tentojnë t’i japin fund jetës. Po sipas OBSH, çdo vit, rreth 1 milion njerëz vdesin nga vetëvrasja.

Vetëvrasja është ndër 3 shkaqet kryesore të vdekjes për grupmoshën 15 – 44 vjeç në disa vende dhe shkaku i dytë i vdekjeve për grupmoshën 10 – 24 vjeç.

Ndryshe, vetëvrasja është fenomen kompleks që rezulton si pasojë e një ndërthurjeje të një sërë faktorësh, qofshin ata psikologjikë, social, biologjikë, kulturorë dhe mjedisor.

Në Evropë, çrregullimet mendore veçanërisht depresioni dhe çrregullimi i përdorimit të alkoolit, përbëjnë një faktor rreziku madhor për vetëvrasjen. Për këtë arsye, identifikimi dhe trajtimi në kohë i problemeve të shëndetit mendor ka një ndikim tepër pozitiv edhe në parandalimin e vetëvrasjeve.