SHPËRNDAJE

Kosova vazhdon ta shkruajë historinë e futbollit të shtetit tonë duke regjistruar fitoren e parë në kuadër të Ligës së Kombeve. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë përfundoi me fitoren e vendasve me rezultat 2-0.

Fraksioni i parë i sfidës së vlefshme për Grupin 3 në ligën D të Ligës së Kombeve, u mbyll pa gola. Skuadra jonë e pati dominimin dhe iniciativën në 45 minutat e para, mirëpo mungoi konkretizimi.

Të zgjedhurit e Bernard Challandes bënë një lojë sulmuese duke e mbajtur kundërshtarin të mbyllur në pjesëlojën e vet. Krahas posedimit të mirë të topit, ekipi nikoqir pati edhe disa raste të mira shënimi.

Theksojmë se në gjysmën e parë, tifozët e Kosovës e kanë nderuar edhe një herë legjendën e futbollit shqiptar, Fadil Vokrri. Në ndeshjen e parë të zhvilluar në stadiumin e Prishtinës që mban pikërisht emrin e futbollistit legjendar dhe presidentit ikonik të Federatës së futbollit të Kosovës, tifozët kishin përgatitur një koreografi të veçantë.

Në tribuna është ngritur numri 9, i bartur nga Vokrri, si edhe fotografia e tij me mbishkrimin “Our Hero” (Heroi ynë).
Pas dominimit dhe rasteve në pjesën e parë, dhe vazhdimit të iniciativës edhe në fraksionin e dytë, nikoqirët e shënuan golin e epërsisë.
Ishte Arbër Zeneli, i cili me një goditje të bukur e ndëshkoi portierin kundërshtar. Dhe natyrisht se goli iu dedikua legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.
Nuk zgjati shumë dhe erdhi goli i dytë. Një harkim në zonë nga Milot Rashica, e shfrytëzuan futbollistët vendas dhe as goditjes nga Amir Rrahmani, Atdhe Nuhiu e futi topin në rrjetë.
Përkundër epërsisë së dyfishtë, përfaqësuesja vednase vazhdoi me iniciativën duke u përpjekur që ta thellojë akoma më shumë epërsinë.
Pas këtij triumfi, Kosova numëron katër pikë dhe është në krye të Grupit 3 në ligën D.

Ishujt Faroe mbesin në kuotën e tri pikëve, të arkëtuara nga fitorja kundër Maltës në xhiron e parë.