SHPËRNDAJE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha sot se shumë njerëz në rajon nuk duan stabilitet e paqe, por vazhdimin e konfliktit të vazhdueshëm politik mes serbëve e shqiptarëve.

“Do të dëshironin që serbët e shqiptarët kurrë të mos merren vesh dhe që të gjithë të përparojnë, kurse serbët e shqiptarët jo”, është shprehur Vuçiq pas vizitës në një spital të Zemunit në Beograd, transmeton lajmi.net.

Presidenti serb ka thënë se Beogradi do të vazhdojë bisedimet me Prishtinën, por me siguri nuk do t’ia dalin të arrijnë marrëveshje.

“Është e rëndësishme që  edhe nëse nuk arrijmë marrëveshje, të cilën dikush pas nesh me siguri do ta arrijë, sepse pa ndërtimin afatgjatë të paqes nuk do të jemi në gjendje të vazhdojmë me rezultatet e suksesshme aktuale ekonomike”, është shprehur Vuçiq.

Ai ka kritikuar opozitën në Serbi se derisa ishin në pushtet vunë vulën në pavarësinë e Kosovës, ndërsa qysh se ky është në pushtet asnjëherë dhe askënd nuk e ka quajtur tradhtarë e të shitur.

Më 7 shtator në Bruksel dështoi takimi i presidentëve, të Kosovës Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb Aleksandar Vuçiq. Ata biseduan vetëm përmes përfaqësuese së lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Për takimin e radhës pritet të vendoset në fund të këtij muaji. /Lajmi.net/