SHPËRNDAJE

Kosova Lindore po keqpërdoret si karrem nga Presidenti Thaçi për të siguruar mbështetje politike e publike e cila i mungon aq shumë.

Kështu citohet të ketë thënë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një takim që ka zhvilluar sonte në Prishtinë me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushatin dhe ambasadorin Qemal Minxhozi.

Sipas një njoftimi të VV-së, në këtë takim, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, u bisedua për rëndësinë e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit sa më të mirë e më të gjerë ndërmjet Kosovës e Shqipërisë në të gjitha fushat: politike dhe ekonomike, institucionale dhe shoqërore.

“Në veçanti, u diskutua për dialogun më të ri me Serbinë, për çfarë kryetari Kurti theksoi që, në njërën anë, fjalimi i presidentit të Serbisë në Mitrovicë dëshmoi që e kaluara kriminale është aktuale, ndërkaq, në anën tjetër, Kosova Lindore po keqpërdoret si karrem nga Presidenti Thaçi për të siguruar mbështetje politike e publike e cila i mungon aq shumë”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.