“Ditë e madhe për mua si një emigrante që erdhi në këtë vend në moshën 10-vjeçare”, VOA: Emiljana Ulaj, shqiptarja e dytë në Këshillin e Bashkisë së Uestçesterit

0
55

Emiljana Ulaj, para disa ditësh bëri betimin si anëtare e Këshillit të Bashkisë së Uestçesterit në Nju Jork.

Siç njofton gazetari Burim Goxhuli, zonja Ulaj erdhi në Shtetet e Bashkuara në moshën 10 vjeçare. Familja e saj ishte persekutuar gjatë regjimit komunist në Shqipëri, ndërsa u largua nga vendi më 1997, pas krizës së shkaktuar nga skemat piramidale.

Ditë më parë politikanja shqiptaro-amerikane nga radhët e Partisë Demokrate, Emiljana Ulaj, bëri betimin për postin e anëtares së Këshillit të Bashkisë së Uestçesterit në Nju Jork.

Zonja Ulaj është emigrantja e katërt dhe e dyta me origjinë shqiptare, pas Vedat Gashit, që siguron një vend në këshillin me 17 anëtarë të kësaj bashkie. Ajo është gruaja e parë shqiptaro-amerikane që merr këtë rol në Uestçester.

“Ishte një ditë e madhe dhe emocionuese, shumë domethënëse për mua si një emigrante, refugjate që erdhi në këtë vend në moshën 10 vjeçare, pa njohuri të gjuhës angleze, të cilës më vonë iu kërkua që të futet në garë për anëtare bashkie dhe që u zgjodh në atë rol. Kjo do të thotë shumë dhe flet mbi atë se sa i mrekullueshëm është ky vend, që u jep këto mundësi emigrantëve. Të gjithë të shtypurit kudo në botë mund ta dëshmojnë këtë. Unë mendoj se Amerika është një fener ndriçues, që nëse jeni i përndjekur kudo në botë, ëndrra juaj është që të vini këtu. Sepse ky është vendi ku nuk ka rëndësi emri i familjes suaj dhe e kaluara juaj. Nëse punoni mund të arrini”, thotë zonja Ulaj në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Familja e zonjës Ulaj u largua nga Shqipëria më 1997, kur vendi ishte zhytur në një krizë të thellë, disa vite pas rënies së diktaturës komuniste. Ajo dhe familjarët e saj qëndruan si refugjatë në Itali për gati një vit, para se të fitonin azilin në Shtetet e Bashkuara.

“Një mëngjes, një familjar i nënës sime trokiti në derën tonë në ora 5 dhe na tha se një anije po largohet drejt Italisë. Na tha se nëse duam të largohemi, duhet të ikim tani. Familja vendosi që të largohej atë mëngjes. U larguam papritur. Ishte një kohë kur gjithçka ishte e frikshme. Shkollat ishin mbyllur. Kishte tanke nëpër rrugë. Njerëzit blinin armë, që të tjerët të qëndronin larg shtëpive të tyre. Ishte një kohë e pasigurt dhe e frikshme”, thotë zonja Ulaj.

Megjithëse kanë kaluar vite, zonja Ulaj e cila erdhi në Shtetet e Bashkuara në moshë të re, vazhdon të kujtojë vuajtjet e të parëve të saj gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri. Ajo thotë se historitë me të cilat është rritur, kanë ndikuar në ambiciet dhe formësimin e saj si politikane.

“Familja e nënës time ka qenë e persekutuar ashpër gjatë komunizmit në Shqipëri. Ata vranë shtatë burra të familjes së saj. Gjyshi im ishte burgosur për dhjetë vite dhe më pas jetoi në një kamp internimi pothuajse gjithë jetën e tij, deri kur demokracia erdhi në Shqipëri. Në kampin e internimit ai takoi gruan e tij, gjyshen time, familja e së cilës ishte e persekutuar po ashtu. Gjithmonë kam dëgjuar këto histori nga nëna ime, vuajtjet e tyre gjatë atij regjimi politik. Të gjitha këto përvoja, histori të nënës sime, janë në mendjen time. Shpresoj se ka jetë pas vdekjes, që gjyshi im, i cili vuajti aq shumë, të shoh mbesën e tij në Amerikë, që është bërë pjesë e politikës dhe po ndihmon të tjerët”, thotë ajo.

Mandatin e saj në Këshillin Bashkiak, zonja Ulaj e sheh si një mundësi për të përmirësuar jetët e njerëzve. Disa nga përparësitë kryesore të saj janë strehimi i përballueshëm dhe burimet e energjisë së ripërtëritshme.

“Shumica e njerzëve që jetojnë me qira janë të rënduar nga çmimet e larta. Të moshuarit dhe ata me atë ardhura fikse kanë jetë të vështirë. Të rinjtë, pasi mbarojnë studimet nuk mund të përballojnë një apartament. Dikur qiraja ishte një sakrificë që dikush e bënte për të kursyer para për të blerë një shtëpi. Njerëzit nuk po mund të kursejnë dhe kjo sjell probleme tjera. Shtëpia është investim për të ardhmen, pensionin tuaj. Përveç kësaj, ne kemi një planet që duhet ta mbrojmë për gjeneratat e ardhshme, duke ndërtuar burime të energjisë së ripërtëritshme. Zgjerimi i transportit publik është një çështje tjetër. Po ashtu dua të shoh mundësitë e angazhimit të të rinjve në procese, të dëgjojmë zërat e tyre, sepse ata do të trashëgojnë vendimet tona, prandaj duhet të kenë zë në vendimet që marrim”, thotë ajo.

Zonja Ulaj thotë se në qendër të mandatit të saj të parë janë edhe të rinjtë e komunitetit shqiptaro-amerikan, në veçanti ata që duan të angazhohen në politikë.

“Një nga sfidat më të mëdha kur rritesh si gjeneratë e parë emigrantësh është që, kur ke interesim për diçka nuk di çfarë të bësh, nuk i ke lidhjet e duhura. Prindërit e mi nuk i kishin lidhjet që unë të gjeja një punë si praktikante, ose nëse doja të merresha me politikë, nuk dija kujt t’i drejtohesha. Nuk dija me kë të flisja, që të më orientonte në atë fushë. Prandaj, dua të jem një burim për ta, përmes grupeve të shoqërisë civile, që ata të kenë ku të drejtohen, që të lidhen me njerëzit e duhur nëse duan të angazhohen në politikë, t’u tregojë hapat konkret se çfarë duhet të bëjnë”.

Megjithëse nuk dihen të dhënat e sakta, sipas zonjës Ulaj, rreth 15 mijë nga gati 1 milion banorët e bashkisë së Uestçesterit janë shqiptaro-amerikanë.

Bashkia e Uestçesterit është e shtata në Nju Jork për nga numri i popullsisë, me një buxhet prej 2.8 miliardë dollarësh./ VOA


Top Channel