SHPËRNDAJE

Alternativa për ndryshim në Preshevë dhe Bujanoc me një komunikatë për media ka konfirmuar pjesmarrjen në zgjedhjet e Këshillit Nacional që do të mbahen me 4 nëntor.

Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë:

Komunikatë

APN për pjesëmarrje në zgjedhjet e Këshillit Nacional

Alternativa për Nryshim ka vendosur të jetë pjesëmarrëse e zgjedhjeve për Këshillat Nacionale të cilat janë caktuar të mbahen më 4 nëntor të këtij viti.

Pas një takimi të përbashkët të zhvilluar sot në Preshevë, për një qëndrim të këtillë, janë deklaruar të gjitha organet e këtij subjekti si, Këshilli Qendror, kryesia si dhe kryesia e degës në Bujanoc.

Me këtë rast, është vlerësuar domosdoshmëria e pjesëmarrjes në këto zgjedhje me qëllim të realizimit të të drejtave në suaza të fushave të caktuara të cilat i parasheh Ligji.

Edhe pse shqiptarët janë të hendikepuar si pasojë e diskriminit në funskionimin e Këshillit Nacional duke u nisur nga numri i këshilltarëve e deri tek elementet tjera përcjellëse, forumet e APN-së konsiderojnë se pjesëmarrja është më e rëndësishme sesa bojkoti, ngase vetëm me participim direkt mund të evitohen edhe këto probleme.

Poashtu, edhe situata e krijuar rreth bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit, ku Lugina është bërë temë kryesore, nuk është pengesë e pjesëmarrjes në këto zgjedhje, ngase shqiptarët përveç se në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë jetojnë edhe në Beograd, Vojvodinë e gjetiu në brendi të Serbisë, kështu që ruajtja e një institucioni të këtillë, siç është Këshilli Kombëtar Shqiptar është mëse e nevojshme.

Gjithashtu pjesëmarrja në zgjedhjet e Këshillit Nacional është mbeshtetur fuqishëm nga qarqet më të larta të Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë.

Në tubimin e sotëm partiak, është vendosur që lista zgjedhore të mbajë emrin “ Alternativa për Ndryshim -Shqiprim Arifi “, kurse kandidati i partisë për kryetar të Këshillit Nacional është vendosur të jetë, Arbër Pajaziti i cili njëkohësisht do të jetë edhe bartës i saj.

Ditëve në vijim, APN do të plotësojë listën zgjedhore prej 15 kandidatësh duke inkuadruar në të njerëz profilesh të ndryshme. Poashtu, ditëve të ardhshme, subjekti politik do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme të karaketrit teknik parazgjedhor për të qenë e gatshme për fushatën.

Në fund të takimit, kryetari i APN-së, Shqiprim Arifi, i ka njoftuar të pranishmit për bisedat që i ka zhvilluar ditëve të fundit me krerë të institucionve dhe subjekteve politike në Kosovë dhe Shqipëri, në kuadër të përgatitjes së finales së dialogut ku edhe Lugina e Preshevës pashmangshëm do të jetë pjesë e tij.

Preshevë, 16 shtator-2018
Shërbimi për Informim i Alternativës për Ndryshim