“Performanca ime ishte e tmerrshme”, Cancelo merr përsipër fajin për humbjen e Barcelonës – Telegrafi

0
42

Joao Cancelo ka marrë mbi supet e tij fajin për humbjen e rëndë që Barcelona pësoi ndaj Villarrealit në La Liga.

I huazuari nga Manchester City, i cili luajti për herë të parë pas tri javësh rikuperimi nga lëndimi, bëri një gabim i cili i kushtoi me gol Barcelonës në minutën e 54-të, duke mos arritur të pranojë topin siç duhet dhe duke i krijuar mundësinë për gol Ilias Akhomach, i cili më pas e mposhti Inaki Penan për rezultatin 2-0.

Barcelona pastaj për një moment përmbysi gjithçka, duke shënuar tre gola në harkun e 11 mintuave, por ‘Nëndetësja e Verdhë’ eventualisht mori fitoren me rezultat 5-3.

Në intervistën pas ndeshjes, Cancelo mori fajin përsipër duke vënë theksin tek performanca e tij që sipas portugezit ishte ‘e tmerrshme’.

“Performanca ime ishte e tmerrshme. Nesër do të jap gjithçka në stërvitje dhe do mundohem të jem në formën më të mirë të mërkurën. Ne jemi një ekip i madh, trajneri nuk duhet të fajësohet. Ai bëri mirë, por unë nuk iu përgjigja kërkesave të tij. A e kemi humbur ligën? Matematikisht jo, por është shumë e vështirë”, ka thënë Cancelo.

Kjo ishte humbja e dytë rresht e katalanasve në të gjitha garat dhe tani ekipi ka pësuar nëntë gola në dy ndeshjet e fundit.

Për pasojë, me të përfunduar ndeshja me Villarrealin tekniku Xavi kishte konfirmuar se në fund të sezonit do të largohet nga Barcelona./Telegrafi/