SHPËRNDAJE

Presidenti Hashim Thaçi është i sigurt se Kosova do të marrë njohjen nga Serbia, edhe pse disa prej autoriteteve serbe thonë se kjo mund të ndodhë “vetëm kur të bëjë shelgu rrush”.
Deklaratë elektorale, e ka quajtur presidenti Thaçi deklarimin e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili tha se njohja e Kosovës nga Serbia është e pamundur.

“Nuk dëshiroj të komentoj deklaratat elektorale në Serbi, por në Kosovë duhet të fokusohemi në arritjen e marrëveshjes”, ka thënë Thaçi në konferencën për media.

Presidenti thotë se as Serbia nuk mund ta bëjë as edhe një hap drejt integrimit evropian, pa marrëveshjen paqësore me Kosovën.

Daçiqin nuk e ka komentuar, por presidenti Thaçi ka disa fjalë për spektrin politik të vendit. Ai thotë se nuk beson që dikush mund të jetë kundër bashkimin të Luginës së Preshevës me Kosovën.

“Nuk besoj se dikush nga bartësit e institucioneve janë kundër bashkëngjitjes së territoreve të Luginës së Preshevës”, ka thënë Thaçi.

“Bartësit e institucioneve të Kosovës janë unikë për domosdoshmërinë e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë, që nënkupton njohjen reciproke”, ka shtuar ai.