SHPËRNDAJE

Presidenti Hashim Thaçin vazhdimisht ka lënë të kuptohet se për çështjen e korrigjimit të kufijve e ka bekimin e SHBA’ve dhe se rreth kësaj teme po flet duke u koordinuar me ta. Por, rreth kësaj çështjeje, Kryeministri Ramush Haradinaj ka një teori tjetër. Ai thotë se SHBA’në nuk sugjerojnë asnjë zgjidhje.
Për më tepër, Haradinaj lë të kuptohet se Thaçi nuk i ka përnjëmend konferencat për media ku flet për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me Kosovën. Ai thotë se Presidenti po taktizon për shkak të kërkesave të palës serbe që Asociacioni I komunave me shumicë serbe të ketë kompetenca ekzekutive.

Madje Haradinaj, në një intervistë mbrëmë, ka thënë se ka biseduar personalisht me zyrtarë të State Departamentit, të cilët sipas tij, i kanë thënë se nuk sugjerojnë asnjë zgjidhje që nënkupton shkëmbimin e territoreve apo çështjen e kufijve.

Ndërkohë, në një konferencë për media që ka mbajtur sot, Presidenti përsëri ka folur mbi këtë temë. Ai ka thënë se nëse arrihet pajtimi për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, atëherë edhe Rusia do ta heqë veton për Republikën e Kosovës në Këshill të Sigurimit, pavarësisht se diplomatë të ndryshëm e analistë kanë thënë se për këtë nuk ka asnjë garanci.

“Marrëveshja për korrigjimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nëse arrihet do të jetë në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare. I hap rrugë Kosovës për anëtarësim në OKB dhe BE. Do t’i sjellë njohjen reciproke”, ka thënë presidenti Thaçi.


.