PSD mban Kuvendin Zgjedhor, Molliqaj kritikon pozitën – Telegrafi

0
54

Partia Socialdemokrate është duke mbajtur sot Kuvendin Zgjedhor.

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj gjatë fjalimit të tij tha se partia ishte themeluar në kushte të rënda, transmeton Telegrafi.

“Ne e kemi filluar aksionin politik kundër pushtetit kur numrat arritën kulmin, kurse propaganda qiellin. Në kushte të tilla horizontet mbyllen dhe e vërteta vështirë mendohet. Në këto kushte, edhe për njerëzit normal thjesht kritika duket marrëzi. Ne kemi zgjedhur të veprojmë në këto kushte. Në kushtet kur vala e madhe i merr të gjithë: i merr ata që e mendojnë karrierën; i merr oportunistët që sa herë ndërrohet pushteti e rizbulojnë vetveten në rrobën e re; I heshtë edhe mendjet e ftohta sepse zjarri i etiketave, sharjeve e linçimeve nuk lë hapësirë për normalitetin e tyre”, tha ai.

Gjatë fjalimit, Molliqaj bëri edhe disa kritika ndaj pozitës.

“Pushteti andej sheh mundësi te mjetet dhe kontrolli. Ne kemi shpresë sepse i besojmë njeri-tjetrit. Ata punojnë me diktat për t’u dëshmuar, atje ku meritë është veç servilizmi. Ne e kemi dëshmuar luftën kundër pushtetit që nënshtron. Aty luftohet me bërryla për t’u përulur në fund. Beteja jone është krah për krah.Ketë vit kemi dy beteja me rëndësi. Ky vit do të nis instalimin e autonomisë për serbët në Kosovë. Duke besuar thellësisht që kjo do të çojë vendin në ndarje edhe më të thellë dhe shoqërinë edhe më shumë në konflikt, është detyrë e jona të punojmë me qytetarët për ta kundërshtuar një projekt të tillë”, tha ai.

Molliqaj mes tjerash deklaroi se “Beteja e radhës për PSD është strukturimi dhe shtrija në qytete dhe fshatra”.

“Prandaj ftoj secilin që të bashkohet në punë me ne për këtë qëllim. Por mos të harrojmë sfidën tonë që kemi përpara për ta bërë partinë tone parlamentare. Unë besoj fuqishëm që nuk ka asgjë më të rëndësishme për demokracinë dhe parlamentarizmin në Kosovë sesa PSD të bëhet forcë parlamentare në zgjedhjet që kemi përpara.

Kur qytetari e përfytyron parlamentin e ardhshëm është e qartë që veç një gjë e bën dallimin, nuk është numri i ndryshëm i deputetëve të VV, PDK, LDK, apo AAK por prezenca e deputetëve të PSD- së. Ju ftoj juve këtu e qytetarët jashtë që te bashkohemi në këtë përpjekje të rëndësishme. Unë besoj të ju dhe qytetarët, prandaj besoj edhe më fuqishëm në këtë fitore.

Me lejoni krejt në fund të falënderoj nga zemra të gjithë aktivistët, strukturat e PSD- së për bashkëpunimin dhe besimin në këtë periudhë që lam pas”, deklaroi ai./Telegrafi/