SHPËRNDAJE

Gjatë vitit 2016 dhe 2017 në Kosovë janë importuar 26 milionë litra birrë me vlerë prej 17.6 milionë euro.

Sipas statistikave të Doganës së Kosovës gjatë vitit 2016 në Kosovë kanë hyrë 13.2 milionë litra birrë me vlerë 8.6 milionë euro. Kurse një vit më vonë, në vitin 2017, përmes Doganës në Kosovë kanë hyrë 13 milionë litra birrë me vlerë prej 8.9 milionë euro.

Në vitin 2016, më së shumti ka kushtuar birra e importuar nga shteti fqinj i Maqedonisë. 4,7 milionë litra të importuar nga Maqedonia kanë pasur një vlerë prej 2,3 milionë euro kurse 2,6 milionë litra birrë të cilat kanë hyrë në Kosovë nga Serbia kanë kushtuar 1,9 milionë euro. Birra e importuar nga Sllovenia ka pasur një vlerë prej 1,3 milionë euro, 921 mijë litra birrë të importuara nga Holanda kanë kushtuar 1,2 milionë euro ndërsa 1.9 milionë litra birra të importuar nga Mali i Zi kanë pasur vlerë prej 855 mijë euro.

Edhe në vitin 2017 më së shumti birrë është importuar nga Maqedonia. 4,5 milionë litra të importuar nga Maqedonia kanë pasur një vlerë prej 2,2 milionë euro, sasia prej 2.6 milionë litra birrë e importuar nga Serbia kanë kushtuar 1,9 milionë euro. Pas Serbisë në listë janë të radhitura Sllovenia dhe Holanda, me vlerën më të madhe të birrës së importuar në Kosovë gjatë vitit 2017. Birra e cila ka hyrë nga Sllovenia ka pasur një vlerë 1,5 milionë euro kurse ajo e cila ka hyrë nga Holanda ka kushtuar 1,4 milionë euro.

Birra është pija alkoolike më e vjetër dhe më e njohur në botë. Shiten më shumë se 133 miliardë litra birrë në vit.

Prodhohet nga tharmëtimi i lëndëve me bazë amidonin, zakonisht përdoret elbi, megjithëse përdoren edhe rrënjët e kasavës (Manihot esculenta) në Afrikë, patatja në Brazil, dhe Agava (lloj kaktusi) në Meksikë.

Sot, provat më të lashta për ekzistencën e birrës mendohet të jenë rreth më se 6 mijë vjet dhe përshkruhen nga sumerët, të cilët kishin një qytetërim mjaft të lashtë, janë populli i parë në botë, që mund të cilësohet “i qytetëruar”, me gjuhën, fenë, kulturën dhe shkrimin e tyre në formë kunji.

Sumerët e zbuluan rastësisht procesin e fermentimit, ndoshta nga një copë bukë që u lag dhe u harrua. Pas pak kohe ajo fillojë të fermentohet me ndihmën e disa baktereve të ajrit, duke u kthyer në një masë alkoolike.

Birra prodhohet duke marrë fillimisht farën e elbit, e cila njomet me ujë dhe pastaj në kushte të përshtatshme temperature arrihet që të bëhet mbirja e saj. Pas mbirjes dhe zhvillimit në fazën e pjekjes ajo thahet nga ku merret embrioni i farës dhe i nënshtrohet një sërë proceseve të tjera, produkt i se cilës del një lëndë që quhet malti.

Pikërisht malti që përftohet trajtohet me ujë dhe njëkohësisht zihet. Pas zierjes hidhet në lëndën e përfituar lopon dhe majën e birrës e cila e bën të mundur fermentimin e kësaj lende.

Lënda që përfitohet pas këtij fermentimi është pikërisht birra. Ajo zihet në një temperaturë nga 60-70 °C me qellim që lëngu të mos prishet dhe njëkohësisht të çaktivizohen të gjitha enzimat të cilat janë të dëmshme për trupin e njeriut.