SHPËRNDAJE

I mbetur pa mbështetje dhe pa autoritet, Hashim Thaçi po përpiqet të bëjë kthesat e fundit në politikë. Tash dëshiron që në dialog me Serbinë ta përfshijë edhe Albin Kurtin, për të cilin aludonte se financohet nga Irani, nga grupet islamiste dhe nga Rusia. Pasi e dogji komplet kryesinë e LDK-së tash oferta «presidenciale» i dërgohet Albin Kurtit. Gjasat për pazar nuk janë as minimale. Kosova duhet të shkojë në zgjedhje. Sepse i duhet legjitimitet i ri.

Nga Enver Robelli

Ka diçka absurde, qesharake, bizare e groteske në sjelljet e Hashim Thaçit. Duke e parë se para syve të tij po i rrënohet autoriteti, duke e parë se, sipas anketave të fundit, gati 80 për qind e qytetarëve të Kosovës po e kundërshtojnë idenë e shkëmbimit të territorit mes Kosovës dhe Serbisë, duke e parë se kanë filluar ta godasin nën brez edhe ata që i kishte aleatë të rëndësishëm «publicistikë», duke e parë veten të humbur në pyllin e politikës, pa kontakt me masat e gjera popullore, pa qenë në gjendje të vërejë atmosferën në shoqëri dhe disponimin negativ ndaj tij, Hashim Thaçi ka nxjerrë kartën e fundit nga xhepi – thotë se dëshiron ta përfshijë edhe Albin Kurtin në bisedime me Serbinë.

E ka fjalën po për atë Albin Kurtin, të cilit ia mohonte qenësinë e qytetarit të Kosovës dhe kërkonte që të kthehet «në Vladimir», atje diku në Mal të Zi. Aq e madhe ishte urrejtja e tij ndaj Kurtit, saqë nuk e përdorte toponimin shqip Katërkollë, por Vladimir. Kështu, mendonte ai, njerëzit do të besonin se Albin Kurti është as më pak, as më shumë se agjent i Serbisë, pastaj, siç aludonte Thaçi, edhe i financuar nga Irani, nga grupet ekstremiste islamike, nga Rusia dhe nga dreqi e i biri.

E çfarë ndodhi tani që Thaçi të kërkojë që në negociata me Serbinë të përfshihet edhe Albin Kurti, të cilin e kishte stigmatizuar pandërprerë? Ndodhi ajo që po shihet: ka filluar fundi i epokës së Hashim Thaçit. Fushata e tij për ndarjen e Kosovës, e përkrahur nga lobistë të paguar mirë, ishte momenti i shkëputjes definitive nga qytetarët. Nëse Perëndimi i fuqishëm ka vendosur ta ndajë Kosovën, kjo mund të ndodhë, por populli i Kosovës nuk është i gatshëm që këtë t’ia llogarisë si «meritë patriotike» Hashim Thaçit – dhe përkrahësit të tij nga Tirana, Edi Rama, i cili duke mos e njohur historinë e Kosovës vrapon pas ideve që ia servojnë gjeodezistët e Prishtinës.

Si çdo pushtetari që e ka injoruar momentin e duhur për t’u tërhequr nga politika, edhe Hashim Thaçi i ditëve të sotme është një politikan pa senzorë politikë. Ai mendon se çdo gjë mund të blihet. Biografia «legjendare»? S’ka problem – edhe në Londër mund të gjenden kalemxhinj që për para shkruajnë çfarë kërkon ustai. Imazhi? Paguaj disa ndërmarrje për relacione publike. Por, nuk blihet gjithçka. As ndarja e Kosovës nuk mund të blihet. Mund të ndodhë ndarja, por jo për llogari të Hashim Thaçit. Faturën e paguan populli i Kosovës.

Pasi e ka djegur fund e krye kryesinë e LDK-së, pasi e ka trajtuar si një grup palaçosh që nuk kanë asnjë përfytyrim mbi kurthet politike, tani karremi po i hidhet Albin Kurtit. Është oferta e dëshpërimit të Hashim Thaçit. Asgjë më shumë. Gjasat për pazar nuk janë as minimale. Kosova duhet të shkojë në zgjedhje. Sepse i duhet legjitimitet i ri. Nuk mund të ndahet Kosova me shkarravina në Twitter. Por, ndarja nuk mund të evitohet nëse partitë politike shqiptare të Kosovës, në radhë të parë Lëvizja Vetëvendosje dhe ajo pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës që nuk e sheh politikën si tender, nuk bashkohen rreth një synimi: rrëzimin me votë nga pushteti të një strukture politike të kriminalizuar e korruptuar jo deri në fyt, por deri te hunda. Kur të rrëzohen këta nga pushteti, Ramush Haradinaj do të vrapojë t’i bashkohet popullit. Do të ishte në të mirën e këtij vendi sikur vardisja e tij të refuzohej. Le të merret me shishet e plastikës me «ujë» Rugove. Si dikur në parlament. Nëse Albin Kurti mëson diçka nga 20 vitet e sundimit të «kumanirave», atëherë mund të lë pak gjurmë në politikë dhe histori. Nëse nuk mëson, çmimin që do të paguajë do të jetë i shtrenjtë – për të personalisht dhe për Kosovën.