Janari i 2024-së i mirë për liberalizimin e vizave – bllokut të BE-së i shtohen Spanja, Emiratet Arabe dhe Izraeli – Telegrafi

0
36

Qytetarët e Kosovës nga 1 janari i këtij viti kanë filluar të udhëtojnë pa viza në shtetet e zonës së Bashkimit Evropian.

Lajmi i heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës, ka krijuar një periudhë të re emocionuese për të gjitha komunitetet në vend.

Pas shumë vitesh pritje dhe përpjekje, heqja e vizave solli një ndryshim të madh në perspektivën e lëvizjes së lirë drejt vendeve të BE-së.

E pas hyrjes në fuqi të vendimit për vizat, erdhi edhe një lajm tjetër i mirë për qytetarët e Kosovës, shkruan Telegrafi.

Më 5 janar u bë e qartë se ata do të mund ta vizitojnë edhe Spanjën, pas një njoftimi nga Departamenti për Migrim dhe Çështje të Brendshme i Komisionit Evropian, se Spanja njeh tashmë pasaportën e zakonshme kosovare.

Pas Spanjës, vizat për qytetarët e Kosovës i kanë hequr edhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bëri të ditur se presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed al-Nahyan, ka pranuar propozimin e saj për heqjen e vizave për kosovarët.

Në këtë shtet kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza nga 22 shkurti i këtij viti. Kështu njoftoi ditë më parë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

“Pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit mes Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, sot kemi pranuar Notën Verbale nga Ministria e Jashtme e EBA-s, përmes së cilës jemi informuar se data e hyrjes në fuqi të Memorandumit të Mirëkuptimit, të nënshkruar me datën 11.01.2024, do të hyn në fuqi me datën 22.02.2024”, tha ajo.

E siç duket heqja e vizave për zonën Schengen i ka hapur dyert Kosovës dhe qytetarëve të saj edhe për në vendet tjera që s’janë pjesë e BE-së.

Një vendim për të udhëtuar pa viza së fundmi e ka marrë edhe shteti i Izraelit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar të hënën se Izraeli është pajtuar t’i heqë vizat për shtetasit e Kosovës, që do t’ua mundësojë atyre udhëtimin lirshëm drejt vendit të Lindjes së Mesme për qëllime turistike.

Presidenca e Kosovës tha në një komunikatë se Osmani u njoftua për vendimin e Izraelit nga ambasadorja izraelite në Prishtinë, Tamar Ziv, gjatë një takimi të hënën, shkruan Telegrafi.

Ky vendim i Izraelit – i cili është vendi i fundit që e njohu pavarësinë e Kosovës para rreth tri vjetëve, do të hyjë në fuqi pas nënshkrimit të marrëveshjes.

“Në këtë drejtim, të dy ministritë përkatëse do të vazhdojnë me procedurat e nënshkrimit të marrëveshjes dhe qytetarët do të njoftohen sapo vendimi të hyjë në fuqi. Përmes kësaj marrëveshje, qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet udhëtimi pa viza në Izrael për qëllime turistike”, thuhet në njoftim.

E ditë më parë Britania e Madhe mori vendim që vizat t’ua heq personelit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, që zhvillojnë aktivitete ushtarake zyrtare. Kështu bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në një postim në Facebook.

“Sot, nga nënkoloneli Steve Forrest, këshilltar bilateral në Ministrinë e Mbrojtjes u njoftova me vendimin e autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar për udhëtim pa viza për personelin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës që zhvillojnë aktivitete ushtarake dhe zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar”, ka shkruar Maqedonci.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.
Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më 1 janar të këtij viti nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva. /Telegrafi/