Kushtetuesja konstatoi se i ishte shkelur e drejta për jetë Sebahate Morinës, KPK mjaftohet me 30% ulje të pagës për prokuroren Hava Krasniqi – Telegrafi

0
32

Sebahate Morinës, iu mohua e drejta për jetë. Kështu kishte konstatuar Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin e 22 marsit 2023. Ajo u vra nga ish-bashkëshorti më 14 mars 2021 në Prishtinë. Vrasja e saj erdhi si pasojë e neglizhimit të rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Stacioni Policor në Graçanicë.

Dështimi për mbrojtjen e jetës, e drejtë kjo themelore sipas Kushtetutës së vendit, për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) rezultoi me zvogëlim të pagës 30% për një vit për prokuroren e rastit, Hava Krasniqi. Ndonëse, sipas vendimit të KPK-së prokurorja është gjetur përgjegjëse, pasi kishte dështuar në ushtrimin e profesionit të prokurorit, ngase nuk kishte vlerësuar rrezikshmërinë dhe marrë veprime urgjente sipas kompetencave ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Vendimi i Këshillit është marrë më 26 qershor 2023, ndërsa është konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme më 1 gusht 2023.

Edhe pse vendimi ishte konfirmuar nga shkalla e tretë, para afro 6 muajsh, i njëjti nuk ishte publikuar në ueb-faqen zyrtare të KPK-së. E kjo, nga KPK ishte arsyetuar me atë se ishte hequr rastësisht nga ueb-portali i KPK-së.

“Ju njoftoj se, Vendimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Aktgjykimi i Gjykatës SUPREME A.A.nr.27 /2023, të datës 1 gusht 2023, janë publikuar me kohë në uebportal, por janë hequr rastësisht gjatë bartjes së të dhënave nga uebportali aktual në uebportalin e ri, i cili pritet të lansohet në mars të këtij viti”, thuhet në përgjigjen e KPK-së.

E ndjera Sebahate Morina, u vra 10 ditë pasi ishte raportuar rasti i dhunës ndaj saj, ish-bashkëshorti i saj (i dyshuari), ishte liruar në procedurë të rregullt dhe Morinës nuk i ishte ofruar mbrojtje. Kështu, në ditën e 11-të, pak metra pa mbërritur në vendin e punës, Morina u vra nga ish-bashkëshorti, i cili me pas vrau edhe veten.

Sistemi Prokurorial i Kosovës inicioi procedurën disiplinore tek pas dy viteve, pas konstatimit të Gjykatës Kushtetuese se tani të ndjerës i ishte shkelur e drejta për jetë. Andaj, KPK mori vendim për zvogëlim të pagës për prokuroren e rastit.

Sipas arsyetimit të vendimit, zvogëlimin e pagës së prokurores si masë disiplinore, Këshilli e ka bërë pasi është gjetur se prokurorja Krasniqi kishte vepruar në kundërshtim me nenin 6, paragrafi 2, nënparagrafi 2.5 dhe 2.1 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

“Krasniqi ka dështuar në ushtrimin e profesionit të prokurorit sepse, mungesa e vlerësimit të rrezikut nga ana e prokurores Krasniqi pas raportimit të dhunës në familje, duke marr për bazë faktin që i dyshuari L.S ishte recidivist, kishte dënim për vepër penale në vitin 2019, kishte urdhër mbrojtje të lëshuar nga Gjykata dhe dy deklarata për ushtrimin e dhunës ndaj viktimës tani të ndjerës S.S. Prokurorja Hava Krasniqi ka neglizhuar me rastin duke mos ndërmarr veprime hetimore nga data e raportimit të dhunës, përkatësisht 03 mars 2021 deri në vrasjen e të ndjerës, 14 mars 2021”, thuhet në arsyetimin e KPK-së.

Aty thuhet se periudha prej 10 ditësh që prokurorja nuk ka marrë masa konkrete, bëri të dështojë në mbrojtjen e jetës së tani të ndjerës.

Sipas vendimit, prokurorja Krasniqi, kishte anashkaluar faktin se i dyshuari ishte recidivist, kishte dënim për vepër penale në 2019, kishte urdhër mbrojtje të lëshuar nga gjykata dhe dy deklarata të ushtrimit të dhunës ndaj viktimës.

Përkundër atyre që përmenden më lartë, thuhet se prokurorja, të dyshuarin (ish-bashkëshortin e Morinës), e kishte liruar në procedurë të rregullt, duke autorizuar Policinë që ta intervistojnë (të dyshuarin) të nesërmen.

Ndaj vendimit të KPK-së, ankesë në Supreme kishte ushtruar prokurorja Krasniqi, me arsyetimin se rasti i iniciuar nga autoriteti kompetent është gjykuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, me vendim të 19 marsit 2021, ku ishte konstatuar se “Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka bërë asnjë lëshim”.

Gjithashtu, ajo kishte pretenduar se KPK ka zbatuar gabimisht ligjin, duke vërtetuar gabimisht gjendjen faktike.

Por, ankesa e Krasniqit është gjetur e pabazuar nga Supremja, duke thënë se nuk ka provë që dëshmon se është zhvilluar ndonjë procedurë hetimore dhe të jetë marrë ndonjë vendim nga KPK apo gjykata në këtë rast. Dhe se është vërtetuar se prokurorja, është përfshirë në shkelje.

Supremja, ka vërtetuar vendimin e KPK-së, duke thënë se ka vlerësuar drejt të drejtën materiale dhe se është konstatuar përgjegjësia disiplinore e prokurores.

Në lidhje me vrasjen e Sebahate Morinës, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) tri ditë pas rastit, kishte publikuar raportin “Shteti me mosveprim privon nga jeta Sebahate Sopin”, ku ishin prezantuar shkeljet e institucioneve shtetërore dhe dështimi për të mbrojtur jetën viktimës.

IKD dhe RrGK kishin kërkuar nga KPK dhe Kryeprokurori i Shtetit që të formojë një grup punues për të hartuar një raport lidhur me shkeljet dhe veprimet e ndërmarra lidhur me këtë rast, me ç’rast ky grup punues duhet të ketë qasje në të gjitha shkresat e lëndës, në mënyrë që ta zbardhë këtë rast në tërësi. Ndërsa kishin kërkuar suspendimi e  Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishit dhe prokurores së rastit.

Vajza e të ndjerës Sebahate Morina, e kishte dorëzuar më 13 korrik 2021 në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën me të cilën është propozuar të konstatohet se mosveprimet e autoriteteve shtetërore kanë shkelur të drejtën për jetën të garantuar me nenin 25 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 2 të KEDNJ dhe që këto mosveprime nuk kanë qenë në pajtueshmëri me nenet 50 dhe 51 të Konventës së Stambollit. Kjo kërkesë, është përgatitur në kuadër të Qendrës për Ndihmë Juridike Falas të Institutit të Kosovës për Drejtësi, në bashkëpunim me Rrjetin e Grave të Kosovës.

Më pas, Gjykata Kushtetuese, më 22 mars 2023, kishte njoftuar për vendimin ku edhe ishte konstatuar shkelja e të drejtës në jetë. Ku përgjegjësia binte mbi Policinë e Kosovës, përkatësisht Stacionin Policor në Graçanicë dhe Prokurorinë Themelore të Prishtinës, duke konsideruar se kanë mundur të marrin hapa shtesë për mbrojtjen e tashmë të ndjerës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas vrasjes ishte munduar të mbulojë përgjegjësinë duke thënë se “E dëmtuara ka refuzuar të pranojë ndihmën mjekësore pasi ka qenë diçka momentale dhe nuk dëshiron që më tutje të vazhdojë me rastin” dhe “E dëmtuara nuk është paraqitur për ri-intervistim më 4 mars 2021”.  Por, kjo sipas Kushtetueses “Nuk e liron asnjë institucion shtetëror nga detyrimi për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të përcaktuara me ligje dhe rregullativë të aplikueshme në mbrojtje të viktimës së dhunës në familje”. Gjë të cilën e kishte theksuar edhe IKD, në raportin e saj.

Pas konstatimeve të Kushtetueses, IKD, në një konferencë për media kishte kërkuar edhe njëherë dorëheqjen e atëkohë Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, dhe prokurores se rastit, duke thënë se nuk kanë më integritet dhe kredibilitet për të mbrojtur viktimat e dhunës në familje.

Në fillim, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë nuk kishte ndërmarrë veprime për të adresuar llogaridhënien në këtë rast. Madje, kishte refuzuar  në mënyrë kategorike që të zhvillojë hetime për adresimin e llogaridhënies.

Përballë nevojës që Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë të veprojë si autoritet kompetent dhe të përmbushë obligimet e tij, përmes komunikatës për media të lëshuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjetjet e IKD-së ishin cilësuar si “të paqëndrueshme, joprofesionale dhe tendencioze të cilat si qëllim kanë dëmtimin e punës, imazhit dhe krijimin e mosbesimit të qytetarëve në Institucionin e Prokurorit të Shtetit”.

Por, gjetjet e IKD-së ishin vërtetuar si përmes Raportit të Institucionit të Avokatit të Popullit, ashtu edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sistemit Prokurorial as dy vite nuk i kishin mjaftuar për ta adresuar përgjegjësinë disiplinore për këtë rast edhe përkundër gjetjeve të IKD-së, RrGK dhe Avokatit të Popullit.

Inicimi i procedurës disiplinore është bërë tek pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kjo vetëm për prokuroren e rastit.

IKD kishte theksuar se krahas Prokurorisë, duhet të kërkohet përgjegjësi edhe ndaj zyrtarëve të Stacionit Policor në Graçanicë, pasi Kushtetuesja ka vërtetuar se me mosveprimet e tyre kanë kontribuar në shkeljen e të drejtës në jetë, të Sebahate Morinës.

Ndryshe, rasti i Sebahate Morinës merret si shembull konkret nga Raporti i Progresit për vitin 2023 për dështimin e institucioneve shtetërore për të mbrojtur një viktimë të dhunës.

“Në një vendim historik, në mars 2023 Gjykata Kushtetuese konfirmoi dështimin e institucioneve shtetërore për të mbrojtur një viktimë të dhunës në familje”, thuhet në Raportin e Progresit.