SHPËRNDAJE

”Nuk më mban të mërzitur sot vetëm malli për motrën, tashmë të ndjerë prej një jave, por edhe momenti i ndarjes nga një mjedis në të cilin kam kaluar gati një gjysëm shekulli të jetës sime. Prandaj, nuk mund të ndahem prej jush, pa iu lënë disa “porosi të jetës dhe të kohës”. Për 45 vjet në Fakultetin juridik të Universitetit të Prishtinës (1 tetor 1965 – 1 tetor 2010) dhe në jetën time, kam mbajtur parasysh këshillën: në jetë bën vetëm atë që duhet të bësh, mos bën atë që s’duhet të bësh! E pranoj se kam lindur me fat. Fati më i madh i njeriut është të lindësh me fat! Me fat është ta meritosh lindjen! Kush e meriton lindjen, e ka të lehtë vdekjen! Herët kam mësuar se kush jam dhe kush mund të bëhem. Nëse nuk di se kush je, nuk do të dish as kush do të jesh! Njeri ideal është ai që di se nuk ka njeri ideal! Sot “po dal nga një derë” në të cilën kam hyrë para 45 vjetësh. Eshtë fat i madh të presësh të dalësh nga dera në të cilën ke hyrë! Nga të gjitha dyert më të mirat janë dyert e hapura; nga të gjithë çelësat janë ata që hapin të gjitha dyert! Në jetë nuk kam ndeshur në dyer të mbyllura. Kam përdor çelësat që m’i kanë hapur të gjitha dyert dhe për këtë ndihem krenar! Pse po largohem? Përherë kam konsideruar se më mirë është të largohesh se të të largojnë! Eshtë pëlqyer një aforizëm i imi: ne shqiptarët sikur nuk dimë se kur është mjaft! Kam dashur që me shembullin tim të dëshmoj të kundërtën! Eshtë mjaft nëse “le pas vetes” ata që mund të trashëgojnë: dy asistentë doktorë shkencash në këtë fakultet dhe dy asistentë doktorë shkencash në Universitetine Europës Juglindore në Tetovë. Kam ecur nëpër një rrugë të mesme, sepse shumë herët më kishin mësuar se mesi është i artë. Sot po përshendetëm me ju dhe me institucionin në të cilin kam punuar 45 vjet. Po mbaj një fjalë që mund të kualifikohet në një ligjeratë lamtumirëse. Kush mban ligjeratë lamtumirëse duhet ta ketë merituar ligjëratën inauguruese. Lartësia e bjeshkës “nuk matet me sy”, por “me këmbë!”. Në jetën time kam ecur këmbë, që të “mos më mashtrojnë sytë!”. Pyetja e parë me të cilën u jam drejtuar studentëve të gjeneratës sime të parë ka qenë: si pëlqeni t’ju flas: me gjuhën dhe stilin e rëndë të juristit që të më “konsideroni të mençëm”, pa më kuptuar asgjë, apo me gjuhën dhe stilin e lehtë të juristit, që “t’i kuptoni të gjitha”. Besoj se më ka kuptuar shumica. Më vjen keq për atë pakicë që nuk ka dashur të më kuptojë! Jeta është një mësim që “mund të mësohet”, por që “nuk mund të porositet!”. Jeta, në të shumtën, i ngjanë tregëtisë: në të mund të investosh të gjitha, por edhe mund t’i humbësh të gjitha, nëse nuk ia del ta menaxhosh mirë. Përfundimi bëhet i qartë: më pak kënaqemi me atë që kemi arritur, se me atë në të cilën shpresojmë! Shpresa është “pasuria më e madhe” e atyre që s’kanë asgjë! Varfëria dhe shpresa janë “nënë e bijë”: sa “merresh me bijën, e harron nënën!”. Nuk e kam menduar se do të qëndroj aq gjatë në këtë profesion. Kjo ma kujton njërën prej barsoletave më të mira që kam dëgjuar ndonjëherë: kur një dyzetvjeçar e kishin dënuar me pesëdhjet vjet burg, i ishte drejtuar trupit gjykues me: faleminderës, nuk e kam ditur se do të jetoj aq gjatë! Dyzet e pesë vjet në katedrën e profesorit mund të të mbajnë dhe të të ushqejnë vetëm studentët. Falenderimi im është për ta. Ti je ai që të tjerët mendojnë për Ty, e jo ai që mendon për vetën tënde! Ju falenderoj nga zemra për konsideratën që keni shprehur për personalitetin tim dhe për punën time në mbarim të testeve tuaja në provimin e fundit. Pranoj se më kanë shpëtuar lotët për gatishmërinë e një kolegeshe tuaj që kishte shkruar në fund të testit të provimit: jam tridhjetekatërvjeçare: do ‘ju kisha falur pesë vjet të jetës sime që të ligjëroni më gjatë dhe që të jetoni më shumë! Asnjëherë nuk kam kaluar në faqën e dytë pa e mësuar të parën! Askush nuk ka mësuar të vrapojë para se të mësojë të ecë! Fjala më e mirë që e kam mësuar prej anglishtës është: step by step! Ardhmeninë nuk mund ta përzgjedhësh si gjellën në meny! Po të ishte kështu, të gjithë do të kërkonin atë që nuk do të mjaftonte për të gjithë. Vetëm ai që prej jetës nuk kërkon asgjë, “përfiton” prej saj! Në jetë duhet që të kërkosh shumë që të përfitosh pak. Askush nuk i ka përfituar të gjitha. Mos jetoni pa një motiv, sepse ai që jeton pa motiv “mund edhe të të mos jetojë!”. Të ecësh me kohën do të thotë të ecësh përpara dhe të mos kthehesh prapa. Ç’kuptim ka nëse ecni në drejtim të gabuar? Jam përpjekur që të mos e gaboj rrugën. Kam ecur me të tjerët, e jo kundër të tjerëve. Kush ecën vetëm, e gabon rrugën. Kush ecën me të tjerët, gjen rrugë të reja! Ne më shumë duam se ç’bëjmë, prandaj gabimisht mendojmë se jeta ”na mbetet borxh” për atë që nuk bëjmë. Sillemi me padrejtësi ndaj jetës. Gjysmën e jetës e përmbushim me dëshira, e gjysmën tjetër me paknaqësi për mospërmbushjen e tyre. Ambicia më e madhe e rinisë është “që mos t’i ngjajë gjeneratav.