SHPËRNDAJE

Në mesin e shumë futbollistëve të rinj që luajnë nëpër klube të mëdha zvicerane kemi edhe një kontingjent tjetër të madh lojtarësh me të rinj që luajnë futboll nëpër klube të shqiptarëve të Zvicrës.

Janë mbi 20 klube shqiptare me dhjetëra skuadra që bëjnë një punë gjigande me një vetorganizim vullnetar që kanë një aktivitet të përditshëm gjatë tërë vitit; nga e hëna deri të dielën dhe prapë me ritëm të njëjtë vazhdojnë aktivitetin sportiv të ekipeve përgjatë tërë vitit, shkruan albinfo.ch.

Me këto klube e familje futbolldashëse nis rrëfimi i suksesit të shumë futbollistëve të rinj shqiptarë që me paraqitjet e tyre kanë bërë jo vetëm Zvicrën, por edhe Shqipërinë e Kosovën krenare. Për futbollistë të niveleve të larta lexojmë rregullisht në të gjitha mediumet duke mos lënë pa raportuar as lëvizjet më të vogla.

Por ajo që nuk shohim e lexojmë, janë familjet dhe bashkatdhetarët e tyre që stërvisin e luajnë nëpër klubet shqiptare të organizuara në Federatën e Futbollit Zviceran. Mos të harrojmë se talenti më i madh i futbollit zviceran, Granit Xhaka, është i biri i një bashkëthemeluesi të FC Dardanisë së Baselit. Pa dashurinë e pasionin për futboll të babai të Taulant e Granit Xhakës, ne mbase nuk do të kishim këta dy futbollistë që na kanë dhuruar momentet më bukura të futbollit me Zvicrën Shqipërinë.

Ashtu si edhe më parë, albinfo.ch sjell këtë javë një përmbledhje të sezonit vjeshtor të skuadrave shqiptare që garojnë në ligat amatore të Zvicrës.

Në Zvicrën lindore kemi klubin FC Besa me traditën më të gjatë të futbollit të shqiptarëve në futbollin zviceran.

Klubi futbollistik Besa St. Gallen ka shënuar të dielën një fitore të rëndësishëm para publikut vendas, në stadiumin Espenmoos, kundër fqinjit FC Wittenbach dhe kështu mbyllë sezonin vjeshtor me fitore të thellë 5:2. Sulmuesi Granit Çekaj ka shënuar tre gola, një Vincent Lazraj dhe një mesfushori i talentuar Enis Lela.

Sezonin vjeshtor Besa e mbyll në pozitën e katërt duke shënuar pesë fitore, tri barazime dhe tri humbje.

“Synimet e klubit kanë qenë të qarta”, thotë Vincenci, “Të luajmë për të fituar kampionatin, por ia dolëm”.

FC Besa St. Gallen ka zhvilluar një kampionat të mirë duke pasur në çdo lojë posedim topi e dominim të lojës, por nuk ia kanë dalë të shënojnë.

“Ne kemi punuar vazhdimisht me lojtarë dhe mund të them që kemi një skuadër të fort që dinë të luaj futboll, mirëpo këtë sezon, si asnjëherë më parë, fati nuk ka qenë në anën tonë. Kemi pasur për çdo lojë 3-5 raste 100 %, por nuk kemi shënuar dhe kur nuk shënon, kuptohet, atëherë merr gol”, thotë asistent trajneri Vincenc Lazraj.

FC Besa St. Gallen ka disa vite që luan në krye të tabelës dhe konsiderohet si njëri ndër ekipet më të forta të ligës së tretë të Zvicrës lindore. Besa ka disa futbollistë cilësorë që bëjnë dallimin në fushë dhe i dhurojnë publikut lojë të bukur.

Drejtuesit e klubit tregojnë se përgatitjeve dimërore do të jenë intensive. Klubi tashme ka rezervuar hotelin Tropikal në Durrës. “Do të shkojmë në Shqipëri për fazën dimërore të përgatitjes së ekipit për sezonin pranveror”, thotë Lazraj.

Në këtë faze të përmbylljes së kampionateve, albinfo.ch ju sjell gjendjen aktuale të klubeve shqiptare që kanë pasur rezultatet më të mira për sezonin vjeshtor.

Sukses shumë të mirë, kryesisht në krye të tabelës, regjistrojnë këto skuadra:

FC Iliria e Solothurnit

FC Eaglea Aarau

FC Besa Biel/Bienne

FC Diaspora e Delemontit (pa humbje)

FC Besa e Winterthurit (zyrtarisht ka emër tjetër, është pa humbje, mirëpo ka edhe një ndeshje në fundjavë)