Deutsche Bank do të shkurtojë 3500 vende pune edhe pse regjistroi fitime prej 4.5 miliardë dollarësh vitin e kaluar – Telegrafi

0
41

Deutsche Bank do të shkurtojë 3500 vende pune edhe pse regjistroi fitime prej 4.5 miliardë dollarësh vitin e kaluar

Deutsche Bank tha të enjten se do të shkurtojë 3,500 vende pune si pjesë e përpjekjeve për të ulur kostot me 2.5 miliardë euro deri në vitin e ardhshëm dhe për të rritur fitimet, edhe pse huadhënësi më i madh i Gjermanisë përfiton nga normat më të larta të interesit global.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, banka tha se do të përpiqet të përmirësojë rrjetin e saj të marketingut dhe sistemet dhe programet kompjuterike, ndërsa kërkon të ulë kostot.

Ajo tha se zvogëlimi i numrit të pozicioneve do të ishte kryesisht për punë që nuk përfshijnë marrëdhënie të drejtpërdrejta me klientët.

Njoftimi erdhi së bashku me publikimin e shifrave të fitimit vjetor që tregonin se banka arriti 4.2 miliardë euro vitin e kaluar, një rënie prej 16% krahasuar me vitin 2022.

Megjithatë, ishte viti i katërt radhazi në të cilin banka realizoi fitime.

Banka ka përfituar së bashku me “homologët” e saj nga rritja globale e normave të interesit, e cila mund të rrisë marzhën e fitimit midis asaj që banka paguan në interes dhe asaj që mund të fitojë.

CEO Christian Sewing tha se rezultatet “demostruan elasticitet mbresëlënës në një mjedis të vështirë, zgjeruan biznesin tonë dhe u treguan të gjithëve se banka jonë është në mënyrë të qëndrueshme fitimprurëse”. /Telegrafi/