“Mu duk vetja si në avion, sikur po fluturoja”/ Opinion nga Anila Hoxha: Hajduti i Range Rover, nga endacak në banor i burgut të Shënkollit

0
43

Një gjykatës në Tiranë vendosi sot, shtrimin e detyrueshëm psikiatrik në një spital burg të Ardian H.

Në 57-vjeçar për të cilin nuk u interesua askush, por aventura që provoi nga hoteli deri në rrugën Kastriotët, e veçoi nga të gjithë endacakët dhe të pastrehët në metropol.

Çdo hajdut në Tiranë apo kudo kthehet ‘interesant’ ndonjëherë nga rëndësia dhe vlera e objekteve që rrëmben, apo nga statusi i atij që ka vjedhur. Ardian H. u bë i rëndësishëm, pra i dukshëm për shkak të statusit të tij.

Sepse ishte endacak. Dhe sepse vodhi një Range Rover.

Si një njeri i pavënë re, krejt ne hije, krejt i askujt; ai shëtiste rrugëve të kryeqytetit shqiptar, ndonjëherë duke kërkuar një cigare e ndonjëherë duke hedhur ndonjë batutë humori. Madje madje, kishte qenë aq i pagjurmueshëm edhe për një tjetër komisariat i cili në pamundësi për ti gjetur adresën, ju përgjigj prokurorisë në fillim të janarit 2024 se “nuk mund ta gjente sepse jeton si endacak”.

Ajo çështje ndaj Ardian H. kishte qenë për një hetim për vjedhjen e një biçiklete. Një prokuror e kishte hetuar në mungesë. E kishte dorëzuar dosjen për gjykim dhe pastaj kish kërkuar gjetjen e tij. Gjykata pat aprovuar dhe në 18 janar urdhëroi- ‘shoqërojeni forcërisht, nëse e gjeni’.

Në kërkim të tij, policët ishin të qartë se pavarësisht adresës së banimit tek “Pallati i Aviacionit”, për endacakun më reale ishte legjenda rreth tij, sesa mundësia që ta gjenin.

Ndoshta ndjenë keqardhje dhe liria ishte lëmosha që ata kishin mundësia ti jepnin!!!

‘S’ka askënd’– shkruante një agjent.

‘Vuan nga problemet e shëndetit mendor’- referonte tjetri.

Ata patën shans t’i lëshonin pe balonës deri ne datën 30 janar.

Atë ditë Ardiani e tejkaloi rutinën e endacakut, la gjumin e rrugës e bukën bri këmbëve. La qesen, hodhi cigaren përtokë. Dhe rrotulloi çelësat e makinës që një shofer i nxituar i kish lënë gati.

Në një moment, fare pak minuta ishin, ai u tundua nga luksi , siç nuk kishte provuar herë tjetër.

Dhe mori nën drejtim Range Rover. Që nuk i përkiste Në Kodin Penal quhet ‘vjedhje’.

Duke u përpjekur të kuptonin se kë kishin përballë dhe çfarë do referonin kësaj here, një duzinë agjentësh në komisariatin numër 1 e morën në pyetje.

Njërit i pohoi ‘ mu duk vetja si në avion, sikur po fluturoja’. Duke u rrekur ti nxirrte diçka të vlefshme për hetimin, oficerja i shkëputi emrin e nënës -Drita dhe të babës Xhezmi.

Pastaj asnjë emër tjetër veç tyre në jetën e tij !!!!

Pastaj tha vitin e lindjes.

Më vonë në pak rreshta oficerja shkroi;

‘I vetë identifikuar si Ardian H. Lindur dhe banues në Tiranë. Gjendja gjyqësore , i padënuar. Me arsim tetë vjeçar.Numër telefoni nuk ka. Adresa Pallati i Aviacionit. Me shtetësi e kombësi shqiptare.

Pas mesnatës së 30 janarit kur dhe u arrestua dhe u bë i dukshëm më ne fund, ky njeri sot doli para gjykatës. Prokurori ishte i bindur se hajduti që po kërkonte që prej vjedhjes së biçikletës, së paku në një moment nuk duhej lënë vetëm. Dhe ai ishte momenti para gjykatës. I caktuan një avokat falas. Ai prapë i paqartë se çfarë kishte bërë tregoi lumturinë më të madhe ‘ ngava një makinë dhe isha duke fluturuar’. Copëza shprehjesh te pakuptueshme më tej…

Si një njeri që nuk eksiton me letra, që nuk kishte asnjë dokument identifikimi, ai u prezantua si personi që askush nuk e shikonte në kryeqytet. Por për agjentët ishte po ashtu kaotik, mes disa realiteteve, dukshëm me probleme të shëndetit mendor.

Pas vjedhjes së Range Rover, një aventurë që zgjati pak minuta, atij ja prenë biletën e shtrimit të detyrueshëm në një spital Burg. Adresa e tij, nga endacak në banor i burgut të Shënkollit !

Të paktën njëherë në jetë ai ekziston.


Top Channel