Haradinaj falënderon shqiptarët e Amerikës: Kontributi i tyre për atdheun do të vlerësohet ndër breza – Telegrafi

0
40

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se angazhimi i shqiptarëve të Amerikës për çështjen kombëtare do të vlerësohet ndër breza dhe se kontributi i tyre është e do të mbetet pjesë e historisë.

Haradinaj ka thënë se komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë bartësi dhe shtytësi kryesor i kauzave për të drejtën shqiptare.

“Në fund të vizitës në Amerikë, Baca Rrustë na bashkoi për darkë me shumë vëllezër shqiptarë që ishin shtyllë e madhe e kauzës sonë kombëtare për gjysmë shekulli në SHBA. Për të gjithë ne, komuniteti shqiptaro-amerikan kanë qenë bartësit dhe shtytësit kryesor të kauzave për të drejtën shqiptare. U ndjeva mirë pranë tyre, teksa zhvilluam një diskutim të sinqertë dhe të hapur për zhvillimet në Kosovë dhe për çështjet me interes kombëtar”, ka deklaruar ai.

Kreu i AAK-së ka vlerësuar kontributin e shqiptarëve të Amerikës për aspiratën për lirinë e për shtetin e Kosovës.

“Xhim Xhema, Rrustem Gecaj, Harry Bajraktari, Elmi Berisha, Mark Gjonaj, Martin Shkreli, Gani Shehu dhe gjithë vëllezërit e tjerë që ishin prezent, kanë dhënë kontribut të pamohueshëm në aspiratën tonë për liri, pavarësi e forcim të shtetësisë, duke shërbyer si shembull i shkëlqyer se si punohet për kombin nga çdo cep i botës”.

“I kërkova që në rrethanat e tanishme nëpër të cilat po kalon Kosova, të angazhohen edhe më shumë që të jetësojmë dialogun strategjik me Amerikën dhe mbi të gjitha anëtarësimim e Kosovës në NATO. Ndërsa e falënderova Ambasadorin e Shqipërisë në OKB, z. Ferid Hoxha për punën e tij të jashtëzakonshme”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka shtuar se angazhimi i tyre do të vlerësohet ndër breza.

“Ju thashë me bindje të plotë se angazhimi i tyre për çështjen kombëtare do të vlerësohet ndër breza dhe se kontributi i tyre është dhe do të mbetet pjesë e historisë sonë”, ka përfunduar Haradinaj. /Telegrafi/