Detajet dhe fotot/ Anglezët i bashkohen luftës me korrupsionin brenda policinë shqiptare

0
33

Qeveria angleze ofron ndihmën e saj për të luftuar korrupsionin në radhët e policisë së shtetit.

Gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat, mëson se kanë mbërritur në Shqipëri tre ish oficerë të policisë angleze në kuadër të Shërbimit Ndërkombëtar të Asistencës Policore (IPAS) të Qeverisë britanike.

Ata do të mbështesin Policinë e Shtetit  për reformimin e policisë dhe ngritjen e integritetit në atë që ministri brendshëm Taulant Balla e quan vetëpastrim nga radhët e uniformave blu.

Ambasadori britanik, Alastair King-Smith me Ministrin e Brendshëm, Taulant Balla dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku u takuan me oficerët britanikë për të diskutuar mbi punën që do të kryejnë me Policinë e Shtetit, përfshirë mbikëqyrjen e forcave, burimeve njerëzore dhe menaxhimin financiar.

Ekipi i IPAS përbëhet nga tre ish-oficerë policie me përvojë në Mbretërinë e Bashkuar, të mbështetur nga një ekip shqiptar dhe Ambasada britanike në Tiranë.

Në të njëjtën kohë Top Channel mëson se ata do të shërbejnë edhe si këshilltarë të ministrit Taulant Balla për çështje të tjera që lidhen me luftën e krimit të organizuar.

Prej krijimit të saj  në vitin 2013 agjencia kombëtare britanike kundra krimit të organizuar National Crime Agency ka sjellë në Shqipëri gjashtë oficerë të cilët bashkëpunojnë me policinë shqiptare për llogari të hetimeve të tyre dhe atyre të përbashkëta me policinë shqiptare.


Top Channel