Pas kritikave të shumta në Uashington, Meta njofton për rritje të të ardhurave të saj – Telegrafi

0
71

Meta e Mark Zuckerberg së fundmi ka gëzuar investitorët me një sërë lajmesh të mira: fitime të cilat u trefishuan nga viti në vit, një rritje të përdoruesve, dhe kosto më të ulët e shitje më të lartë reklamash.

Kompania pronare e Facebook u zotua të mbajë rrjedhjen e parave, duke thënë se gjendet në një pozicion të fortë financiar, dhe ka mundësi të investojë në biznese.

Gjithashtu, edhe aksionet e kompanisë tashmë në nivele rekord, janë rritur më shumë se 12 për qind, shkruan BBC, transmeton Telegrafi.

Që askush të mos dyshojë te këto të ardhura, kompania ka vendosur të ofrojë një divident, vendim ky i cili llogaritet si shenjë pjekurie nga kompania.

Kjo performancë magjepsëse e Meta-s vjen vetëm një ditë pasi është përballur me kritika të ashpra nga senatorët në Uashington, nën akuzat se produktet e saj “po vrasin njerëz”, gjë që e shtyu pronarin Mark Zuckerberg t’u kërkonte falje viktimave të shfrytëzimit seksual.

Ndryshe, shitjet e Amazon janë rritur për 14 për qind nga viti në vit, rritje kjo e cila tejkaloi pritshmëritë e analistave për të ardhurat e saj. Rezultatet dërguan që aksionet e Amazon të rriten për 8 për qind.

Gjithashtu, rritje kanë pësuar edhe shitjet e Apple, megjithatë, aksionet e saj ranë për 3 për qind shkaku i konkurrencës së ashpër të iPhone me prodhimet e kompanive tjera.

Meta ka njoftuar se rreth 3.2 miliardë njerëz ishin aktiv në një nga platformat e saj çdo ditë gjatë muajit dhjetor.

Te këto arritje thuhet se ka ndikuar edhe investimi i kompanisë në Al për përmirësimin e reklamave. /Telegrafi/