Mbyllja e strukturave paralele në rajonin e Pejës, policia tregon se çka u gjet dhe çfarë u konfiskua – Telegrafi

0
50

Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar një aksion ditën e premte në rajonin e Pejës, ku kanë mbyllur disa struktura paralele të Serbisë që kanë operuar brenda Republikës së Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se pas një koordinimi të ngushtë mes Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, me urdhër të Prokurorisë, Policia ka zhvilluar një aksion në mbylljen e strukturave paralele të Serbisë që kanë operuar brenda Republikës së Kosovës, transmeton Telegrafi.

Ndërkaq, policia sot ka dhënë detaje se çfarë ka konfiskuar gjatë aksionit.

Në Videj të Klinës, policia ka konfiskuar dokumente, llaptop, telefona e gjëra tjera.

“Videj, Klinë 1999-02.02.2024. Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka kryer kontroll në një objekt në Videj Komuna e Klinës, ku gjatë kontrollit janë hasur dokumente të ndryshme që janë në kundërshtime me ligjet e Republikës se Kosovës të cilat kanë logo të Serbisë dhe strukturave ilegale. Në cilësinë e provave materiale janë konfiskuar: 2 kompjuter llaptop, 4 telefona, 2 vula, 1 usb, sasi e konsiderueshme e dokumenteve dhe inventar”, thuhet në raport.

Po ashtu dhe në Gorazhdec të Pejës, policia ka konfiskuar gjëra të ndryshme.

“Gorazhdec, Pejë 1999-02.02.2024. Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka kryer kontroll në një objekt në Gorazhdec Komuna e Pejës, ku gjatë kontrollit janë hasur dokumente të ndryshme që janë në kundërshtime me ligjet e Republikës se Kosovës të cilat kanë logo të Serbisë dhe strukturave ilegale. Në cilësinë e provave materiale janë konfiskuar: 5 monitorë të kompjuterit, 4 printer dhe fotokopje, 1 makinë shkrimi e dorës, 1 TV, 4 telefona dhe dokumente të ndryshme”, bëhet e ditur në njoftim.

Kurse në fshatin Osojan të Istogut, policia ka mbyllur objektin dhe ka sekuestruar gjithë inventarin që gjendej aty.

“Istog 02.02.2024. Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka kryer kontroll në një objekt, ku gjatë kontrollit janë hasur dokumente të ndryshme që janë në kundërshtim me ligjet e Republikës se Kosovës të cilat kanë logo të Serbisë dhe strukturave ilegale. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar i gjithë inventari që gjendej në objekt dhe është bërë mbyllja e objektit. Lidhur me rastin është intervistuar në cilësi të dyshuarit një mashkull serb-kosovar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”./Telegrafi/