Shteti nuk zbaton kontratën kolektive, me vendime gjyqësore humbi milionat – Telegrafi

0
55

Kontratat kolektive të cilat u lidhën ndër vite nga Qeveria e Kosovës me një pjesë të punonjësve të sektorit publik, vazhdojnë të moszbatohen.

Një pjesë e madhe e sirtarëve të gjykatave në Kosovë, janë të mbushura me lëndë të vetëm një lloji.

Padi të dorëzuara nga mësimdhënës, mjekë e punonjës të tjerë të sektorit publik për mospërmbushje të obligimeve që dalin nga kontrata kolektive.

Bledor Shatri, zyrtar ligjor në Sindikatën e Arsimit, tregon se pothuajse të gjithë mësimdhënësit kanë dorëzuar padi.

“Statistikat janë shumë të larta për shkak se pas një takimi që e kemi pasur me kryetarin e Këshillit Gjyqësor, kemi marrë informacion se të paktën 60 mijë lëndë janë të deponuara në gjykatat themelore në krejt Kosovën nga sektori i arsimit. Që në bazë të statistikave, përafërsisht 30 mijë të punësuar në sektorin e arsimit në Kosovë, i bie që një mësimdhënës ka paraqitur më shumë se një padi, dy padi e më shumë në gjykatat në Kosovë”, ka thënë Blendor Shatri – zyrtar Ligjor SBASHK.

Në lidhje me numrin e lëndëve që kanë të bëjnë me kontratat kolektive, televizioni Dukagjini ka dorëzuar disa pyetje në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje konkrete.

Megjithatë, Hasan Shala, tash avokat e dikur kryetar i Gjykatës së Apelit, konfirmon se numri i përgjithshëm i lëndëve të kësaj natyre, është shumë i lartë.

“Asnjëherë institucionet kontraktuese apo shtetërore nuk i kanë përmbushur obligimet që i kanë ndërmarrë me këto marrëveshje apo me kontratat kolektive. Për këtë arsye punonjësit janë detyruar që të ushtrojnë padia nëpër gjykata, duke i ngarkuar kështu me punë. Sipas informatave jo zyrtare janë përmbi 100 mijë lëndë të cilat i kanë ushtru punonjësit nëpër gjykatat e Kosovës”, ka deklaruar Hasan Shala – Ish-kryetar i Gjykatës së Apelit.

Dëmet financiare llogaritet të jenë dhjetëra milionëshe, pasi Shala thekson se shpenzimet procedurale po e rrisin koston e shpenzimeve prej rreth 30 përqind.

“99 përqind e këtyre lëndëve janë aprovu nga gjykata. Vetëm ato lëndë në të cilat palët nuk i kanë përmbushur obligimet siç i parasheh kontrata janë refuzu, mirëpo shumica e këtyre lëndëve janë miratuar nga ana e gjykatës dhe i kanë detyru institucionet që t’i kompensojnë ato obligime që i kanë marrë në bazë të marrëveshjes apo kontratës kolektive”, ka përfunduar Hasan Shala – ish-kryetar i Gjykatës së Apelit.

Disa prej obligimeve që dalin nga kontrata kolektive janë kompensimi për ushqim për ditët e pranisë në punë, paga jubilare e paga përcjellëse për punëtorët që dalin në pension.

Në nëntor të vitit 2022, Ministria e Arsimit njoftoi se e ka shkëputur kontratën kolektive me SBASHK-un.