Kampionati italian Serie A merr emër të ri pas marrëveshjes së sponsorizimit – Telegrafi

0
44

Lega Serie A ka nënshkruar një marrëveshje të re sponsorizimi dhe që nga sezoni i ardhshëm do të jetë e njohur si Serie A Enilive, duke i dhënë fund partneritetit 25-vjeçar me TIM.

Liga i kishte dhënë të drejtat e vetme për emrin kompanisë telefonike TIM, por kjo nuk do të ndodhë më që nga sezoni 2024/2025.

Për të paktën tri vitet e ardhshme, elita e futbollit italian do të njihet si Serie A Enilive.

Sipas asaj që raporton Calcio e Finanza, marrëveshja vlen rreth 22 milionë euro për vit gjatë tri viteve në vazhdim, me opsionin e vazhdimit të bashkëpunimit edhe për dy vite të tjera.

Kjo ishte një ofertë më e mirë se sa ajo e TIM, e cila ishte në vlerë prej 19 milionë eurosh, një rritje në krahasim me marrëveshjen paraprake që vlente 15 milionë euro.

Enilive është nën ombrellën e kompanisë energjetike Eni dhe fokusohet në burimet e qëndrueshme të energjisë, duke përfshirë pikat e rimbushjes së automjeteve elektrike dhe stacionet e shërbimit, rafinimin e biokarburanteve dhe organizimin e aplikacioneve për ndarjen e makinave.

Ndërkohë, kompania e trenave Frecciarossa e ka rinovuar marrëveshjen e tyre për të sponsorizuar Kupën e Italisë edhe për tri vite të tjera.

Calcio e Finanza ka raportuar se marrëveshja vlen rreth 5.5 milionë euro për sezon, një rritje prej 1 milionë euro në krahasim me kontratën trevjeçare paraprake./Telegrafi/