SHBA kombinon fuqinë ushtarake dhe diplomacinë për të frenuar tensionet në Lindjen e Mesme

0
37

Falë një kombinimi mes fuqisë ushtarake dhe përpjekjeve të shtuara për zgjidhje diplomatike, Shtetet e Bashkuara po përpiqen të frenojnë një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Siç njofton Zëru i Amerikës, ndërsa lufta e Izraelit kundër Hamasit vazhdon, forcat e mbështetura nga Irani në rajon duken të vendosura për të vazhduar sulmet kundër interesave perëndimore.

Edhe pasi një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja sulmoi me sukses objektivat e grupit jemenas Houthi të shtunën,

Uashingtoni nuk mund të përjashtojë më shumë sulme nga Houthit ose nga grupet e mbështetura nga Irani në Lindjen e Mesme, paralajmëroi këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan në emisionin “This Week Show” të televizionit amerikan ABC.

“Qëllimi kryesor i sulmeve ka qenë zvogëlimi i aftësive të grupeve të mbështetura nga Irani në Siri dhe Irak, që po sulmojnë forcat tona dhe grupit jemenas Houthi, që vazhdon të kërcënojë anijet në Detin e Kuq dhe ne besojmë se ato patën ndikim në reduktimin e aftësive të këtyre grupeve. Sipas nevojës, ne do të vazhdojmë të ndërmarrim masa”, thotë zoti Sullivan.

Houthit janë zotuar të vazhdojnë operacionet e tyre ushtarake, të cilat ata thonë se janë hakmarrje për luftën e Izraelit kundër Hamasit në Gazë.

Sipas të dhënave të pakonfirmuara që ofron Hamasi, mbi 27 mijë palestinezë janë vrarë nga Izraeli dhe më shumë se 66,000 janë plagosur.

“Ajo që shohim është agresioni, gjenocidi dhe bllokada e ndihmës mjekësore për vëllezërit tanë në Gazë. Banorët e Jemenit po përgatiten të përballen me këtë agresion dhe të bëjnë çfarë të munden”, thotë Nabil Mohsen Abu Nashtan, Ministër i Shtetit në Jemen.

Fushata ushtarake e Izraelit filloi si përgjigje ndaj sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor. Rreth 1200 njerëz u vranë në atë sulm dhe 240 të tjerë u morën peng. Të dielën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se 17 nga 24 batalione të Hamasit janë shkatërruar deri më tani.

“Shumica e batalioneve të mbetura janë në pjesën jugore të Gazës dhe në Rafah. Ne do të merremi edhe me ato”, thotë Benjamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit.

Shtetet e Bashkuara janë duke forcuar përpjekjet për një zgjidhje diplomatike të konfliktit falë një vizite të re të Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në rajon.

Një propozim për ndërprerje të zgjatura të luftimeve dhe lirimin e pengjeve në këmbim të të burgosurve palestinezë në Izrael është gjithashtu duke u negociuar.

“Presidenti është i përfshirë në këtë çështje. Ai ka folur me udhëheqësit si në Katar ashtu edhe në Egjipt, dy vende që janë në qendër të përpjekjeve për të ndërmjetësuar këtë marrëveshje. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me homologët tonë izraelitë për këtë. Hamasi do të duhet të jetë i gatshëm të thotë po për një marrëveshje që liron pengjet”, thotë Jake Sullivan Këshilltari i Sigurisë Kombëtare.

Zoti Sullivan vuri në dukje se nuk pritet që së shpejti të arrihet një marrëveshje e se aktualisht nuk mund të flitet për një afat kohor.

Komentet e tij pasojnë paralajmërimin e bërë të premten nga Kombet e Bashkuara se situata në qytetin Rafah, në kufi me Egjiptin, po bëhet gjithnjë e më e rëndë për palestinezët e zhvendosur brenda për brenda Rripit të Gazës.


Top Channel